Noizy prezanton mes miqve e bashkëpunëtorëve, “Alpha Show”, koncertin e madh të 14 gushtit

Në 14 Gusht, tek sheshi “Nënë Tereza” do të organizohet “Alpha Show” koncerti më i madh, që është organizuar ndonjëherë në Shqipëri, për muzikën HIP – HOP & RAP e me artistët më të mirë të kësaj rryme, të trojeve shqiptare e të Europës.

Ky koncert është ideuar dhe iniciuar nga Noizy (Rigels Rajku), artisti i shndërruar tashmë në fenomenin e muzikës Hip- Hop në Shqipëri, kantautori që ka shënuar rekorde suksesi kombëtare e ndërkombëtare.

Pas 16 vitesh të sukseshme në karrierën e tij muzikore Noizy është gati ta realizojë këtë projekt gjigand, të cilin pretendon ta kthejë në festival, si traditë të përvitshme të Tiranës e Shqipërisë.

Po pse pikërisht tani ky koncert? Pse e ka quajtuar “Alpha Show”? Si ka mundur të mbledhë në një natë kaq shumë artistë On Top, si Loredana, Ylli Limani, Dhurata Dora, Kida, Ledri Vula, Xhensila Myrtezai, MC Kresha, Gue, Ghali, Sfera Basta, Krept & Konan, Raf Camora, etj.

Për të prezantuar të gjitha detajet e këtij projekti Noizy mblodhi miqtë e bashkëpunëtorët e tij, të botës së muzikës e medias në një pre- party të “Alpha Show”-t.

“Do të jetë një koncert me përmasa e standarte ndërkombëtare, që po ndodh për herë të parë në Shqipëri e në një skenë gjigande rretj 450 metra katrorë. Vendosa ta organizoj si dedikim e shenjë falenderimi për të gjithë adhuruesit e muzikës sime “old school”-sat” dhe “new school”-sat, që e meritojne këtë eksperiencë të jashtëzakonshme. E kam pasur si dëshirë të kahershme këtë koncert, që në fillimet e mia por atëherë nuk kisha as mundësi ekonomike, as kohë e as ekipin e duhur. Tani kam mundur t’i bëj bashkë të gjithë këta faktorët dhe jam shumë i lumtur për këtë fakt.

Vendosa ta quaj “Alpha” këtë koncert për të simbolizuar njerëzit, artistët që arrijnë të bëhen lider e jo boss-a, që nuk presin por e kërkojnë dhe e krijojnë vetë, me shumë mund e sakrificë rrugën e suksesit të tyre, ashtu siç kam bërë edhe unë, në 16 vitet e karrierës sime muzikore. Nuk do të jem vetëm në këtë koncert të madh por me ajkën e ansamblit të madh të artistëve që bëjnë HIP – HOP e rrap, e sigurisht me një pjesë të mirë të atyre që kam bashkëpunime.”– është shprehur në fjalën e tij përshëndetëse Noizy, duke siguruar se suprizat, të cilat nuk mund t’i zbulojë tani, do të jenë marramendëse për të gjithë ata që do të jenë të pranishëm në koncert, në sheshin “Nënë Tereza” me 14 gusht.

Në fund Noizy theksoi se janë marrë të gjitha masat e sigurisë dhe mbarëvajtjes së këtij koncerti ku pjesmarrja pritet të jetë jashtëzakonsisht e madhe.

Hyrja e njerëzve që do të nisë që në orën 18.00 në mënyrë që gjithçka të jetë gati për nisjen e koncertit në orën 20.00.

“Alpha Show” do të startojë këtë vit me qëllimin për t’u shndërruar në festivalin e përvitshëm të muzikës hip- hop në Shqipëri./Panoramaplus