Njësia Speciale Intervenuese (NJSI/FIT) në kuadër të Policisë së Kosovë do të protestojë sërish në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë për shkak të mospërmbushjes së kërkesave rreth përmirësimit të kushteve të punës nga Qeveria e Kosovës. Protesta e NJSI/FIT është planifikuar të mbahet më 9 dhjetor të këtij viti në qendër të kryeqytetit.

Kjo është hera e dytë që NJSI/FIT detyrohet të shpreh paknaqësinë në rrugë. Krejt kjo për shkak se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka dështuar t’u ofrojë një rrugëdalje njësiteve elitare të Policisë së Kosovës, duke treguar moskokëçarje për kërkesat konkrete të kësaj kategorie shoqërore.

Për herë të parë prej themelimit të Policisë së Kosovës, pjesëtarë njësive speciale detyrohen të dalin në protestë. Kërkesat janë të njëjta sikurse më herët: kategorizimi si njësi të veçanta dhe përfshirja në listën e ekspertëve, rrezikshmëria të përcaktohet në 50 për qind të pagës bazë dhe të ketë shtesa për kushte specifike të punës.

Në këtë protestë, përveç njësiteve speciale, pritet të marrin pjesë edhe pjesëtarët e departamenteve tjera të Policisë së Kosovës, përfshirë pjesëtarët e Departamentit të Hetimeve dhe Rendit Publik.