“Njohja në qendër e jo në fund” – VV nuk i bindet korrigjimit të Skënder Hysenit

Lëvizja Vetëvendosje citon Departamentin Amerikan të Shtetit dhe thotë se po përsëritet qëndrimi për dialogun me Serbinë, me njohjen “në qendër e jo në fund”. Nuk dihet nëse VV po bëjnë lojë fjalësh, por sipas Skënder Hysenit, kjo është një gabim i një “nxënësi të dobët në anglisht”, pasi përkthimi i saktë duhet të jetë “marrëveshje e përqendëruar në njohje reciproke” e jo “njohje në qendër”.

Pas takimit të mbrëmshëm mes Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, me Presidenten Vjosa Osmani dhe Kryeministrin Albin Kurti, Departmenti amerikan i Shtetit doli me një komunikatë, të cilin e interpretoi LVV-ja sot në Facebook.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës përsërisin qëndrimin se dialogu Kosovë – Serbi duhet të përfundojë me njohjen reciproke në qendër të marrëveshjes.

“Në qendër pra e jo në fund. Në qendër të marrëveshjes njohja reciproke e jo asociacioni. Në qendër njohja e jo kompromisi. Kryeministri Albin Kurti në vazhdimësi ka mbajtur këtë qëndrim që më pas u përkrah edhe nga presidenti Biden dhe Sekretari i Shtetit Blinken. Tash, për herë të dytë Shtetet e Bashkuara të Amerikës përsërisin qëndrimin që njohja reciproke duhet të jetë në qendër të marrëveshjes Kosovë-Serbi”, thotë postimi i LVV-së.

Në njoftimin e Departmentit të Shtetit, të publikuar në faqen zyrtare, thuhej fjalëpërfjalshëm se “ata diskutuan për rëndësinë e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja për normalizim të raporteve Kosovë – Serbi, të përqendruar në njohjen reciproke, në rrugën drejt integrimit Euro-Atlantik”.

May be an image of 3 people, people standing and suit
Presidentja Osmani, Sekretari Blinken, Kryeministri Kurti / Foto: Albin Kurti, FB

Ish-zyrtari i lartë shtetëror, së fundi ish-koordinator për dialog, Skënder Hyseni, thoshte se kur Kurti përmend “njohjen në qendër”, ai po e përkthen gabimisht një fjali e thënë nga presidentët amerikanë në letrat e dërguara liderëve në Kosovë dhe Serbi.

“Ky është veç një përkthim i dobët i një nxënësi të dobët në anglisht. Kjo është citat nga letra e Bidenit, e Trumpit ‘negociata të përqendruara në njohje reciproke. Jo në qendër. S’ka lidhje me këtë”, thoshte Hyseni para dy javësh në emisionin “Pressing” të Televizionit 7.

“Në takim konfirmuam që Republika e Kosovës është e përkushtuar për arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme që në qendër ka njohjen reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe se deri më tani jemi angazhuar në mënyrë konstruktive dhe kreative në procesin e dialogut”, është thënë ndër të tjera në njoftimin e Kurtit, pas takimit me Sekretarin Blinken.

May be an image of 1 person, sitting and standing
Kryeministri Kurti pas takimit me Sekretarin Blinken

Kryeministri Kurti ka shkuar në fillim të kësaj jave në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, bashkë me Presidenten Osmani dhe ministren Artane Rizvanolli. Njoftimi i vizitës në qendër kishte marrëveshjen për energji, me “Koorporatën Sfidat e Mijëvjeçarit” (MCC). Fillimisht nuk dihej se kush do të nënshkruante këtë marrëveshje dhe kishte spekulime se Kurti e Osmani janë përplasur për protagonizëm në Washington, D.C. Në fund udhëtuan të dy, por marrëveshjen do ta nënshkruajë ministrja Rizvanolli. /Express/