Njohësit: Situata në veri e komplikon punën për vizat, dialogu është kyç

8 dhjetori, është data kur sërish grupet punuese të Këshillit të Evropës do të diskutojnë për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Por, akoma nuk dihet se a do të jetë kjo mbledhje që do t’i gëzojë kosovarët me heqjen e vizave, edhe pse është thënë se kjo do të mund të ndodhë.

Profesori i Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Dritëro Arifi, në një intervistë për KlanKosova.tv thotë se situata në veri do ta komplikojë vendimmarrjen e Këshillit të Evropës.

“Po, sekreti publik për liberalizimin e vizave për Kosovën është çështje politike. Të gjithë e dinë nga shtetet e fuqishme por askush s’po e thotë. Situata në veri vetëm sa do ta komplikojë votimin sa i përket vizave në Këshillin e Evropës. Pra, do të presin se çka do të ndodhë, sidomos pas 21 nëntorit duke e ditur se Qeveria e Kosovës ende s’ka marrë vendim potencialisht për ta shtyrë vendimin apo çështjen e gjobave e cila do ta komplikojë situatën në terren, e cila do të reflektojë edhe në grupet punuese ku do të merret vendimi lidhur me atë se çka do të ndodhë lidhur me liberalizimin e vizave”, thotë Arifi.

Arifi thekson se nëse nuk hiqen vizat, BE-ja mund ta humbë kredibilitetin edhe në procesin dialogues në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“Pavarësisht se çfarë vendimi do të merret në grupet punuese të Këshillit të Evropës rreth vizave për Kosovën, a do të mund të largohen nga 1 dhjetori i vitit 2023 apo jo, vështirë të parashikohet i tërë procesi për shkak është e ndërlidhur edhe me elementet politike në rastin e Kosovës dhe Kosova nuk mund të bëjë shumë përveç që mos ta dëgjojë BE-në dhe të mos të jetë më në raport me politikat e BE-së kaq e pajtueshme. Duhet të tregohet më e vendosur në raport me BE-në se nëse nuk largohen vizat BE-ja mund ta humbë kredibilitetin sa i përket çështjes së dialogut. Pra, duhet të ketë një balancë nëse qeveria ka fuqi që ta bëjë këtë”, thotë ai.

Sipas Arifit 8 dhjetori mund të prodhojë tri rezultate sa i përket vizave.

“Prapë për fat të keq i kemi tri opsione. Opsioni i parë është negativ pra që procesi mund të shtyhet për një kohë të papërcaktuar. Opsioni i dytë është që të jepet drita e gjelbër për liberalizimin e vizave por tek pas dhjetorit të vitit 2023 pas futjes së sistemit ETIAS, dhe opsioni i tretë është që të jepen liberalizimi i vizave në fillim të vitit dhe që Kosova ta fusë sistemin ETIAS deri në fund të vitit”.

Sipas Profesorit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare, është e vështirë që sistemi ETIAS të hyjë në fuqi.

Sipas tij vendet e BE-së dhe ato të Ballkanit Perëndimor janë ende në fazat fillestare.

“Nga aspekti teknik e dimë që është e vështirë që Kosova ta fusë këtë sistem, kur dihet që thuajse të gjitha vendet e BE-së por as të Ballkanit Perëndimor, janë në fazat fillestare duke punuar në këtë projekt – një kusht shumë i çuditshëm – kur dihet që udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave ka qenë i përcaktuar dhe nuk mund të kërkosh kushte shtesë kur të gjitha përmbushen nga udhërrëfyesi. Por, këtu me siguri Franca po dëshiron që t’ju tregojë vendeve të BE-së se asgjë nuk lëviz nëse ajo nuk dëshiron”, tha profesori Arifi.

“Sa i përket institucioneve tona është vështirë dhe thuajse e pamundur që të ndalojë ndonjë befasi. Krejt çka mund të bëjnë është që të lobojnë tek vendet skeptike, por jam i bindur që edhe aty nuk do të kenë ndonjë sukses. Pra, nëse ka vullnet politik është që të bëhet sepse janë plotësuar kriteret por nëse s’ka vullnet politik nga disa vende të BE-së pavarësisht lobimit, nuk mund t’ju ndryshohet mendja këtyre shteteve është shumë e vështirë e sidomos nga një vend i dobët e i vogël siç është Republika e Kosovës”.

Ndërkaq, analisti politik Gazmir Raci, vlerëson se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë do të ketë rëndësi të madhe për liberalizimin e vizave.

Raci për Klankosova.tv thotë se dialogu bazuar në marrëveshjen e propozuar franko-gjermane do të ketë ndikim edhe tek vendet skeptike.

“Kosova ka hyrë në një fazë të re të dialogut, i cili do të jetë kyç në çështjen e liberalizimit të vizave. Po ashtu, dialogu do të ketë ndikim të drejtpërdrejt tek vendet skeptike duke u bazuar në marrëveshjen e propozuar franko-gjermane”, thotë Raci.

Raci tha Serbia po ndërhynë fuqishëm në veri dhe se do të duhej të ndëshkohej nga bashkësia ndërkombëtare.

“Veriu duhet përsëri të trajtohet në dialog sepse tashme edhe zyrtarisht Serbia po ndërhyn në atë pjesë edhe më fuqishëm. Komuniteti ndërkombëtar duhet ta ndëshkojë Serbinë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE”, sipas Racit.