Njohësit e çështjeve juridike: Kushtetuta e Kosovës nuk parasheh që të shkohet në referendum

Derisa presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, përmend mundësinë e mbajtjes së një referendumi ku qytetarëve do t’iu bëhej pyetja se a janë për bashkim me Luginën, njohës të çështjeve juridike dhe politike thonë se një ligj për referendumin ku do të parashihte ndryshime të territorit të Kosovës, do të ishte në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.

Kurse, politikanë nga partitë opozitare thonë se përmendja e referendumit nga presidenti është mashtrim dhe po bëhet për të mjegulluar situatën aktuale.

Referendumi si një e drejtë kushtetuese nuk është e rregulluar me ligj në Kosovë.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi kohët e fundit, derisa ka folur për mundësinë që Lugina t’i bashkohet Kosovës, ka thënë se nëse Kuvendi i Kosovës nuk është i gatshëm të bëjë ndryshime kushtetuese, atëherë kjo mund të bëhet përmes referendumit.

“Nëse është i nevojshëm ndryshimi i kushtetutës për bashkëngjitje të Luginës së Preshevës, Medvegjës e Bujanocit, qysh sot jam për ndryshim të Kushtetutës. Kushtetuta e Kosovës ka ndryshuar tash e tre herë që nga shpallja e Pavarësisë, andaj nuk është mëkat nëse ndryshon Kushtetuta dhe Lugina i bashkëngjitet Kosovës, çka ka të keqe këtu? Nëse Kuvendi i Kosovës nuk është i gatshëm ta bëjë këtë, atëherë referendumi është kategori kushtetuese të cilën mund të organizojmë me pyetjen e qartë, të cilën veç jemi duke e përgatit për qytetarët e Kosovës a janë në favor që t’i bashkëngjitet Lugina Kosovës, po ose jo, shumë e thjeshtë, e qartë”, ka deklaruar Thaçi.

Por ligji për referendumin do të duhej të bëhej në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. Kjo e fundit përcakton që Kosova nuk ka pretendime territoriale ndaj asnjë shteti tjetër, dhe se integriteti territorial i Kosovës është i pacenueshëm.

Profesori i të Drejtës Kushtetuese, Mazllum Baraliu thotë se kërkesa për një referendum është legjitime dhe se është i mundur një ligj për referendum por jo në këtë kohë kur pretendohet vazhdimi i bisedimeve me Serbinë.

“Jo çdo gjë mund të futet në atë tekst, jo çdo përmbajtje, veçanërisht ato përmbajtje që janë në kundërshtim me Kushtetutën. Në paragrafin 1 të nenit 1 të Kushtetutës parashihet saktësisht që Kosova është shtet unik demokratik dhe i pandarë. Kur flitet për territorin, për këmbim ose korrigjim kufijsh, që në të vërtetë është i njëjti kuptim, pra për ndarje, kemi të bëjmë me ndarje esencialiasht dhe me këmbim territoresh, atëherë mund të jemi në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, andaj edhe nga ky këndvështrim do të duhej pasur kujdes që ligji për referendumin mos të jetë në kundërshtim me përmbajtjet e tij, dispozitat e tij, në kundërshtim me Kushtetutën, e aq më pak pyetja e cila mund të bëhet në referendum nuk mund, nuk duhet, nuk bën të jetë në kundërshtim me dispozitat e kushtetutës dhe ligjeve pozitive në fuqi”, thotë Baraliu, raporton KP.

Ai thotë se asnjë ndryshim kushtetues nuk mund të ketë përmbajtje tjetër veçse ta përshkruajë dhe ta njohë shtetin e Kosovës si shtet unik, me një përbërje unitare dhe me territor të pandashëm dhe pacenueshëm.

Edhe Jeta Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë se një ligj për referendumin ku do të parashihej ndryshime në territorin e Kosovës, do të ishte në kundërshtim me Kushtetutën.

“Integriteti territorial i Kosovës është i pacenueshëm dhe Kosova nuk ka pretendime territoriale nga vende të tjera, andaj një ligj për referendumin ku do të parashihte ndryshime të territorit të Kosovës, do të binte ndesh me vet Kushtetutën e Kosovës, dhe për ta krijuar hapësirën që ligji të bëjë pyetje për integritet territorial do të duhej të bëheshin ndryshime kushtetuese në radhë të parë. Absolutisht kjo është një e drejtë që jepet me Kushtetutë dhe është pozitive të bëhet ligji për referendumin por duhet të ketë kujdes për çfarë është duke u bërë ky ligj dhe duhet patjetër të jetë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe sanksionet që janë të parapara në Kushtetutë”, thotë ajo.

Ndërsa, deputeti i Vetëvendosjes, Rexhep Selimi thotë se përmendja e një referendumi nga presidenti është e qëllimshme për të mjegulluar situatën aktuale në vend.

“Është manipulim i presidentit sepse ne i dimë normat kushtetuese dhe referendumi nuk është as kategori kushtetuese. Me kontributin e atij presidenti që po kërkon referendum, ai thjesht po mashtron, në rastin konkret. Po hedh mjegull në një situatë kur do të duhej të kishim më të qartë, qytetarët kanë nevojë që kjo situatë të jetë më kthjellët e ai po ka nevojë që të jetë më turbullt, andaj edhe përmendja e referendumit thjesht është një mjegull e hedhur nga presidenti, nuk bëhet fjalë për një referendum, ai thjesht e ka mashtrim”, thotë Selimi.

Në Kosovë që nga hyrja në fuqi e Kushtetutës nuk është parë ndonjë vullnet nga institucionet për krijimin e një ligji për referendum.

Ani pse mund të krijohet një ligj për referendumin, Kushtetuta e Kosovës nuk parasheh që të shkohet në referendum për legjislacione të cilat konsiderohet të interesit vital, ku përfshihet ligji për gjuhë, për të drejtat fetare e arsim.