Njoftim për konsumatorët që përdorin ujin e pijshëm nga puset dhe rezervuarët individual

KRU ”Prishtina” sh.a. u bën thirrje të gjithë konsumatorëve në zonën e shërbimit, me qëllim të parandalimit të ndonjë situate të pa këndshme lidhur me cilësinë e ujit të pijshëm, të ELIMINOJNË të gjitha burimet tjera të furnizimit me ujë; nga puset (bunaret), rezervuarët individual apo burimet tjera natyrore të cilat përdorin sistemin e njëjtë të ujësjellësit për t’u furnizuar me ujë të pijshëm, në mënyrë që të mos vie deri te kontaminimi i ujit të pijshëm.

Në rast të kontaminimit të ujit të pijshëm nga përzierja e dy burimeve të ujit në të njejtin rrjet, KRU ”Prishtina” sh.a. nuk mbanë kurrfarë përgjegjësie ligjore, derisa përgjegjësia bie mbi ata të cilët përdorin ujin nga burime tjera.

Pra, ne garantojmë për cilësinë e ujit për ata konsumatorë të cilët e përdorin ujin vetëm nga sistemi i rrjetit të ujësjellësit, por jo edhe për ata konsumatorë që ujin e përdorin nga rezervuarët apo puset individuale.

Qëllimi kryesor i Departamentit të Cilësisë dhe Burimeve së Ujit të pijshëm në Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit,, Prishtina,, sh.a. është organizimi dhe funksionimi i tij si departament për kontrollën e kualitetit të ujit, bazuar në Standardet cilësore aplikative ( U.A.10/2021 ) dhe ato Evropiane (Udhëzimi –Direktiva 98/83/EC) mbi kualitetin e ujit për përdorim nga njerëzit. Kjo direktivë përcakton dallimet në mes të parametrave mikrobiologjik dhe atyre fiziko- kimik. Aplikimi i standardeve është në interes të të gjithë konsumatorëve të Prishtinës, Fushë Kosovës, Obiliqit, Shtimes, Lipjanit, Podujevës, Drenasit, Graçanicës dhe Fabrikës së trajtimit të ujit në Shkabaj. Departamenti i cilësisë së ujit me planin e tij të monitorimit të brendshëm, ka në procedurë mbledhjen dhe marrjen e mostrave të ujit të përpunuar nga rrjeti i ujësjellësit, aeratorëve, liqeneve, etj.

Laboratorët tanë shfrytëzojnë metoda standarde për parametrat të cilat janë të aprovuara nga BE, sipas procedurës të cilat janë dhënë me Direktivën 98 (93) EC. Sipas planit ditor, javor dhe mujor për monitorimin e brendshëm të kualitetit të ujit në KRU ”Prishtina” sh.a, të burimeve sipërfaqësore Albanik, Badoc, Bivolak, Mihaliq (Kanali Ibër-Lepencit) si dhe burimeve nëntokësore Kroni, Obiliq, Shtime, Lipjan, Peran (Podujevë), Miradi , Graqanicë dhe Vragoli si dhe pesëmbedhjetë pikat në rrjetin e qytetit , në aplikim të monitorimit të shpejtë bazik dhe vijues percjellim kualitetin e ujit të pijshëm në çdo pikë mostrimi.

Cilësia e ujit është e kontrolluar dhe testuar me analiza fiziko-kimike dhe bakteriologjike sipas parametrave të cilët janë në Pjesën A dhe C në Udhëzimin Administrativ Nr.10/2021 për cilësinë e ujit për konsum nga njeriu.