Njoftim për bashkatdhetarët në diasporë që nga sot vijnë Kosovë

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, dje ka njoftuar se nga sot do të hapen kufijtë tokësorë të Kosovës.

“Nesër hapen kufijtë tokësorë, por jo të gjithë. Do të hapen pikat kufitare tokësore si në vijim: Merdare, Vërmicë, Kullë, Hani i Elezit, Jarinje dhe Dheu i Bardhë”, ka thënë Vitia dje në konferencën e përbashkët për media me kryeministrin në detyrë, Albin Kurtin.

Vitia ka treguar se personat që nga sot do të hyjnë në territorin e Kosovës do t’u nënshtrohen kontrolleve mjekësore.

“Të gjithë personat që hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës obligohen që t’i nënshtrohen kontrolleve të ekipeve mjekësore të QKMF-ve në pikat kufitare dhe t’i zbatojnë masat kundër COVID-19”, ka thënë Vitia.

Personat që hyjnë në Kosovë duhet të kenë një test negativ për COVID-19 jo më të vjetër se 4 ditë, në të kundërtën, Vitia ka thënë se ata do të obligohen që të vetizolohen për 7 ditë