Njoftim i rëndësishëm për studentët që banojnë në konvikte

Nëpërmjet një njoftimi rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Marjan Dema, ka informuar studentët banues në konviktet e Qendrës së Studentëve në Prishtinë se UP-ja ka pranuar me shumë seriozitet shqetësimet që janë adresuar nga studentët, pas shndërrimit të konvikteve në karantinë.

Dema ka kontaktuar përmes telefonit me drejtorin e Përgjithshëm të QS-së, Fatmir Sfishta, ku në emër të studentëve ka përcjellë shqetësimet për sigurinë e gjësendeve të tyre, si dhe për mundësinë e tërheqjes së atyre gjësendeve, në veçanti të librave dhe të materialeve të tjera mësimore, nga këto hapësira të shndërruara tashmë në karantinë.

“Sfishta informoi rektorin se gjësendet e studentëve janë të siguruara, si dhe janë ndarë sipas protokolleve që mundësojnë që asnjë pronë e studentëve të mos humbet.Ndërkaq, rreth kërkesës së rektorit Dema për tu gjetur një mënyrë që librat dhe materialet e tjera mësimore të nevojshme të kthehen tek studentët, Sfishta informoi që një gjë e tillë është e pamundur në këtë fazë, për çka kërkohet mirëkuptimi i studentëve”, thuhet në njoftim.