Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Agim Veliu, ka aplikuar masa shtesë për mjetet transportuese që hyjnë në Kosovë.
Sipas masave të reja, secili shofer i cili është i huaj dhe hynë në Kosovë duhet t’i ketë pajisjet mbrojtëse sipas IKSHP-së dhe nëse nuk janë të pajisur ateherë institucionet e Kosovës janë të obliguar t’i pajisin me mjete mbrojtëse.
Shoferët duhet t’i nënshtrohen kontrollit mjekësor në pikat kufitare dhe nuk ka të drejtë të ndalet dhe të ketë kontakt me personat e tjerë deri në destinacionin e tyre.
Pas shkarkimit të mallit, shoferi i huaj duhet të kthehet në shtetin përkatës pa u ndalur në territorin e Kosovës.
Në Kosovë deri tani janë shënuar 15 raste me koronavirus.
Ky është postimi i plotë i ministrit, Agim Veliu:
Bazuar në situatën e krijuar nga virusi COVID – 19, sot kam nënshkruar këtë:
UDHËZUES PËR APLIKIMIN E MASAVE SHTESË PËR MAUNAT APO MJETET TJERA TRANSPORTUESE TË MALLRAVE QË HYJNË NË KOSOVË ME SHOFER SHTETAS TË HUAJ
1. Shoferi shtetas i huaj i cili hyn në Kosovë duhet ti ketë pajisjet mbrojtëse sipas Udhëzimeve të Institutit të Shëndetit Publik dhe Ministrisë se Shëndetësisë (maskën mbrojtëse dhe dorezat);
2. Në qoftë se shoferi i huaj nuk i posedon këto pajisje, atëherë obligohen institucionet shtetërore te Republikës se Kosovës qe të njëjtin ta pajisin me to;
3. Duhet ti nënshtrohet kontrollit mjekësor nga ekipet mjekësore të Republikës së Kosovës të vendosura në pikat e kalimit kufitar përkatës;
4. Çdo transportues i huaj i cili e ka destinacion Kosovën për dërgim (shkarkim) të mallit, se pari duhet ti përfundon te gjitha procedurat doganore;
5. Shoferi i huaj i cili ka kaluar piken e kalimit kufitar obligohet qe ta vazhdon rrugën direkt ne destinacionin e përcaktuar paraprakisht për dërgim te mallit, pa pasur te drejte te ndalet dhe te ketë kontakt me persona te tjerë gjatë rrugës nëpër territorin e Kosovës;
6. Pas shkarkimit te mallit, shoferi i huaj obligohet te kthehet ne shtetin përkatës pa pasur te drejte ndalimi, kontakti dhe komunikimi neper territorin e Kosovës;
7. Përjashtimisht nga pika 5 dhe 6 e këtij udhëzuesi, shoferit të huaj në rast të defektit teknik të mjetit transportues apo nevojave të domosdoshme për furnizim me derivate i lejohet ndalimi;
8. Kompania vendore apo personi përgjegjës i cili e ka pranuar mallin obligohet që t’ia rikujton shoferit të huaj masat mbrojtëse dhe ato të sigurisë të përcaktuara nga institucionet përgjegjëse të Republikës se Kosovës;
9. Duke pasur parasysh rrethanat e krijuara nga virusi COVID – 19, rekomandohet që Policia, Dogana, AVUK-i dhe autoritetet tjera në këto pika kufitare që ti koordinojnë veprimet për ti krijuar kushte të përshtatshme për lëvizje sa me të shpejt për nisjen ne destinacionin e caktuar të maunës apo mjeteve tjera transportuese të mallrave të drejtuar nga shoferi shtetas i huaj;
10. Kushdo qe vepron kundër urdhrave, apo vendimeve te nxjerra nga organi kompetent ne Republikën e Kosovës, do të aplikohen dispozitat sipas legjislacionit përkatës ne fuqi qe kane te bëjnë me parandalimin e epidemisë apo sëmundjes ngjitëse, siç janë rrethanat aktuale te krijuara nga virusi COVID – 19.







