Njëzet vjet nga sulmi terrorist në SHBA

Kronologjia e ngjarjeve

Sot mbushen dy dekada nga sulmet e 11 Shtatorit 2001, kur ndodhën një seri sulmesh të kordinuara terroriste, të udhëhequra nga grupimi terrorist Al Kaeda, kundrejt SHBA. Objekte të sulmit ishin ndërtesa të rëndësishme në SHBA, si Kullat Binjake, ku ishte vendosur Selia e Organizatës Botërore të Tregtisë në Nju Jork, ndërtesa e Pentagonit si dhe Shtëpia e Bardhë. Në këtë sulm humbën jetën rreth 3 mijë persona. Viktimat në Kullat Binjake ishin 2 752, mes tyre 343 zjarrfikës dhe 60 policë. Pjesa më e madhe e viktimave ishin civil137 të 70 kombësive të ndryshme, në mesin e tyre kishte edhe shqiptarë. Terroristët arritën të shkatërrojnë Qendrën Botërore të Tregtisë në Nju Jork dhe të dëmtojnë rëndë Pentagonin në Uashington. Mijëra qytetarë u vranë në sulmin më të rëndë terrorist në historinë e njerëzimit.

Ora 8:46 e mëngjesit, një aeroplan i rrëmbyer u përplas mbi kullën veriore të Qendrës Botërore të Tregtisë në Nju jork, duke krijuar një çarje të thellë në faqen e ndërtesës dhe duke shkaktuar zjarr. 17 minuta më vonë, në orën 9:03, një aeroplan tjetër pasagjerësh përplaset mbi kullën jugore, duke krijuar një lëmsh të madh zjarri.

Ora 9:17 e mëngjesit. Administrata Federale e Aviacionit urdhëron mbylljen e të gjitha aeroporteve në New York. Pak minuta më vonë, mbyllen edhe urat dhe tunelet në New York.

Në orën 9:30 Presidenti Bush që ndodhej në Florida, informon popullin amerikan se vendi ka përjetuar një sulm terrorist. Ndërkohë, Administrata Federale e Aviacionit, ka pezulluar të gjitha fluturimet, hera e parë kjo në historinë amerikane, që pezullohet transporti ajror.

Ora 9:37 e mëngjesit. Vetëm pak kilometra jashtë Uashingtonit, një aeroplan pasagjerësh përplaset mbi ndërtesën e Pentagonit, duke e mbuluar atë në flakë. Disa qindra vetë vriten ose plagosen.

Ora 10:05 e mëngjesit. Kulla jugore e Qendrës Botërore të Tregtisë rrëzohet, duke shkaktuar re të dendura pluhuri që mbulojnë qytetin e New Yorkut.

Ora 10:10 e mëngjesit, Aeroplani i linjës United Airlines numër 93, rrëzohet në shtetin e Pensilvanisë.

Ora 10:22 e mëngjesit, Departamenti i Shtetit dhe i Drejtësisë evakuohen dhe më pas edhe Banka Botërore dhe ndërtesa e kongresit.

Ora 10:28 e mëngjesit, Kulla veriore e Qendrës Botërore të Tregtisë, rrëzohet! Kullat e famshme binjake të Nju Jorkut,nuk janë më.

Ora 10:45 e mëngjesit, të gjitha zyrat kryesore të qeverisë federale evakuohen.

Ora 11:59 e mëngjesit, agjencia ajrore, United Airlines konfirmon se aeroplani me numër fluturimi 175, i linjës nga Bostoni për në Los Angeles është rrëzuar me 56 pasagjerë dhe 9 pjesëtarë të ekuipazhit. Më pas mësohet se ky ishte aeroplani që u përplas mbi kullën jugore të Qendrës Botërore të Tregtisë.

Gjatë gjithë kohës, grupe të shpëtimit kërkojnë për persona që mund të kenë mbijetuar. Ndërsa në mbrëmje, Presidenti  Bush i drejtohet vendit: “Ne po hetojmë se kush fshihet pas këtyre akteve mizore. Kam urdhëruar të gjitha organet e rendit që të gjejnë personat përgjegjës. Nuk do të bëjmë dallim midis terroristëve që kryen këto akte dhe atyre që i strehojnë ata.”