Njësia sekrete ruse dyshohet se qëndron prapa sulmeve në Evropë

Zyrtarët evropianë të sigurisë e kanë zbuluar një njësi sekrete të inteligjencës ruse, e cila është përpjekur të kryejë vrasje dhe operacione të tjera për destabilizim në vendet e huaja. Kështu shkruan gazeta amerikane, The New York Times.

Kjo gazetë ditore raportoi se, ndonëse zyrtarët e kanë identifikuar këtë njësi në muajt e fundit, ata besojnë se kjo organizatë ka vepruar fshehtas për së paku një dekadë.

Kjo njësi, e identifikuar si “Nr. 29155”, e ka bazën në Moskë dhe është pjesë e agjencisë për inteligjencë ushtarake të Ministrisë së Mbrojtjes, e njohur si GRU.

Zyrtarët e sigurisë në Evropë besojnë se kjo njësi është përgjegjëse për dy përpjekje për ta helmuar shitësin bullgar të armëve, Emilan Gebrev, më 2015, tentimin për puç në Mal të Zi në vitin 2016, përfshirë organizimin e vrasjes së kryeministrit të këtij shteti, Milo Djukanovic, dhe vrasjen në tentativë të ish-zyrtarit të inteligjencës ruse, Sergei Skripal, në Salisbury të Anglisë.

Ndonëse për të gjitha këto incidente Rusia është fajësuar edhe më parë, zyrtarët perëndimorë tashmë besojnë se të gjitha sulmet janë kryer nga një njësi e vetme e inteligjencës ushtarake në Rusi.

Sidoqoftë, ky raport është kundërshtuar nga zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov. Ai tha se raporti paraqet fantazi të buta dhe Moska në asnjë mënyrë nuk është e interesuar që t’i destabilizojë vendet evropiane, shkruan “Free Europe”.

loading…