Njeriu i afërt me LDK-në drejt pozitës së Zëvendësdrejtorit të Policisë me hapa të sigurtë

E kishte zhveshur uniformën dhe ia kishte kthyer për gati 10 vjet shpinën Policisë së Kosovës.

Gati një dekadë të tërë kishte punuar me organizata ndërkombëtare për paga më të larta.

Si njeri i afërt me LDK-në dyshohet se kundërligjshëm ishte kthyer sërish në Policinë e Kosovës gjatë qeverisjes së Isa Mustafës.

Është fjala për Samedin Mehmetin, i cili ishte kthyer pas rreth 10 vjetësh në gradën e njëjtë si nënkolonel në Policinë e Kosovës.

Ligji për Policinë e Kosovës, në kohën kur e kishte braktisur këtë institucion nënkoloneli Samedin Mehmeti, qartazi e kishte kufizuar rikthimin e atyre që e braktisin vetëm në periudhë përbrenda 4 vjetëve, jo pas gati 10 vjetëve sikurse në rastin e Samedin Mehmetit, derisa në rast kthimi secili prej atyre që kishte grada duhej t’i nënshtrohej procesit të gradimit nga fillimi dhe jo të kthehej me gradën e njëjtë.

Nga burime brenda Policisë së Kosovës, Ballkani.info mëson se e njëjta gjë nuk kishte ndodhur edhe me nënkolonelin Samedin Mehmeti, i cili përveçse dyshohet se është kthyer kundërligjshëm, tani po ecë me hapa të sigurtë edhe drejt zgjedhjes Zëvendësdrejtor i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës.

“Është punë e kryer, Samedini do të bëhet zëvendësdrejtor. Edhe pse është i afërt me LDK-në, përmes lobuesve të tij e ka marrë përkrahjen e kryeministrit Haradinaj, pra të AAK-së dhe AKR-së”, ka thënë një burim i mirëinformuar brenda Policisë së Kosovës për Ballkani.info.

Sipas tij, është “sekret publik” që PDK-ja e ka zgjedhur Drejtorin e Përgjithshëm dhe tashmë nuk përzihet tek zgjedhja e zëvendësdrejtorëve.

Për t’u zgjedhur Drejtor apo Zëvendësdrejtor i Policisë së Kosovës, bazuar në nenin 38 të ligjit aktual, kandidatët duhet ta kenë gradën policore kolonel, nënkolonel ose major, së paku pesë vjet.

Zyrtarët policorë të emëruar në pozitën e Drejtorit të Përgjithshëm ose të Zëvendësdrejtorit të
Përgjithshëm, pas përfundimit të mandatit rimarrin sërish gradën e mëparshme të cilën e kanë pasur para emërimit në këto pozita. /Ballkani.info/