Njeriu i afërt i Kurtit: Do ta gjykojmë Albinin që e bëri këshilltar Shkëlzen Gashin

Njeriu i afërt me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, këshilltari i tij Elvis Hoxha, ka thënë se do e gjykojnë shefin e tij pse e bëri këshilltar Shkëlzen Gashin, i cili ditë më parë dha një deklaratë skandaloze kundër UÇK’së.

Përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, Hoxha ka thënë se qytetetarët protestuan kundër Gashit, por jo edhe kundër deputetëve të Kuvendit të Kosovës, që sipas tij, janë bandit.

“Nuk pashë protestë me Marshin e UÇK-së kundër deputetëve që ia dhuruan luftën një gjykate ndërkombëtare sui generis. I kuptoj. Shkëlzen Gashi është një person. Madje e godasim sepse e dimë se nuk ka fuqi as të na bëjë mirë e as keq.”, ka shkruar ai.

Ndërkaq, në një koment se Kurti gaboi kur e bëri këshilltar Gashin dhe se duhet të gjykohet për këtë, Hoxha ka thënë se do e bëjnë një gjë të tillë.

“Do ta gjykojmë Albinin, patjetër. Se Albini nuk ta merr për të keq kur gjykon”, ka shkruar ai.

Vlen të theksohet se Shkëlzen Gashi dy ditë më parë bëri një deklaratë skandaloze për media, ku akuzone UÇK’në se ka vrarë mijëra civil të pafajshëm serb.

Nuk kaloi shumë, ky i fundit u bë pjesë edhe e mediave serbe të cilat shkruanin se ‘Këshilltari i Kryeministrit akuzon UÇK’në për krime të luftës’.

Pas kësaj, Kryeministri në detyrë, Albin Kurti konfirmoi se e ka liruar nga detyra Gashin, por pa e thënë asnjë fjalë rreth luftës së ushtarëve të Kosovës.

Ndryshe, dje një pjesë e madhe e vendit iu përgjigjen protestës nga ballkonet, ku janë lëshuar këngë për UÇK’në, në formë pakënaqësie ndaj deklaratave të zyrtarit shtetëror.