Njëri nga ish-policët e akuzuar për vrasjen e Floydit lirohet me dorëzani

Një nga katër ish-policët e Minneapolisit të akuzuar lidhur me vdekjen e afroamerikanit 46-vjeçar, George Floyd, është liruar të mërkurën me dorëzani, raporton agjencia Reuters.

Floyd vdiq derisa ishte në paraburgim të policisë. Ai kishte treguar vazhdimisht se nuk po mund të marrë frymë, ndërsa njëri nga policët ia kishte vënë gjurin te qafa. Vdekja e Floydit ka nxitur protesta në mbarë SHBA-në e po ashtu në shtete tjera të botës.

Ish-polici, Thomas Lane (37), ka paguar dorëzani në vlerë 750 mijë dollarë dhe është liruar nga burgi Hennepin County, sipas të dhënave të zyrës së sherifit.

Ai ishte një nga tre policët që u arrestuan se kanë ndihmuar në vrasjen e Floydit më 25 maj. Polici tjetër, Derek Chauvin, njeriu që i kishte vënë gjurin në qafë Floydit, është akuzuar për vrasje të shkallës së dytë.

Të katër janë përjashtuar nga departamenti i policisë i Minneapolisit.