Njëri këshilltar, tjetri shofer: Dy vëllezërit aktivistë të VV’së punësohen në kabinetin e Arben Vitisë

Dy vëllezërit Podvorica, Milot e Arbnor “ia kanë parë hairin Ministrit të Shëndetësisë”, Arben Vitia. Të dy këta edhe përkrahës të Vetëvendosjes që më shumë se një muaj po punojnë në të njëjtat zyre, në kabinetin e ministrit Vitia, njeri është këshilltar e tjetri shofer.

Siç i kanë thënë burimet e Reporterit, ata kanë pasur edhe vende të tjera pune, por kanë zgjedhur t’i lënë ato për t’iu bashkuar ekipit të Vitisë.

Gazeta Online ‘Reporteri’ ka siguruar vendimet për emërimin e të dyve dhe ata mbajnë datën e njëjtë të emërimit.

Arbnori është emëruar shofer ndërkaq Miloti është këshilltar politik.

Ministri i Shëndetësisë është aktualisht më i zëni me punë. Ai po menaxhon me krizën e pandemisë që ka prekur edhe Kosovën. Tashmë janë 145 raste, 3 të vdekur e 23 të shëruar.

Por, ndonëse është lavdëruar për menaxhim, ai është akuzuar nga opozita edhe më herët për politizim të institucioneve shëndetësore. Mirsad Shkreta, këshilltar i tij dhe ish kandidat i VV-së për deputet ditë më parë u emëruar anëtar i bordit i SHKUK-së.

Ndërkohë, ai është akuzuar nga opozita edhe se në kabinet ka marrë njerëz të afërm të zyrtarëve të partisë. Fjala është për këshilltarin Sami Ukën, vëllai i deputetit Fitim Uka.

Punësimi i të dy vëllezërve, ligjërisht është i lejuar, pasi është në të drejtën e ministrit të përzgjedh stafin dhe ta emërojë. Por, a përputhet me parimet e barazisë që vetë e ka promovuar Vetëvendosje?

Siç i kanë thënë burimet Reporterit, brenda VV-së, punësimi i dy vëllezërve ka irrituar në fakt shumë aktivistë tjerë të partisë, sidomos ata të Prishtinës.

“Emërimet politike ia lejojnë ministrit përzgjedhjen e stafit. Zgjedhja e dy vëllezërve, që edhe ishin të punësuar ka irrituar njerëzit në lëvizje pasi e kanë konsideruar si pabarazi, sepse ka aktivistë që kanë shkollim të mirë e pak mundësi për punësim”, tha një burim i Reporterit.

Reporteri.net ka biseduar edhe me Milot Podvoricën, të emëruar Këshilltar. Ai ka konfirmuar se të dy janë angazhuar dhe ka përmendur faktin se gjithçka është ligjore. Bile shton se nuk është privilegj për ta angazhimi në këtë detyrë.

“Po, është e vërtetë që të dy jemi pjesë e kabinetit të ministrit Vitia. Besoj e dini që ministri ka kompetencë të përzgjedhë anëtarët e kabinetit dhe me vendim i emëron pa zhvilluar procedurë të rekrutimit – konkurs. Emërimi nuk nënkupton lidhje të rregullt të marrëdhënies së punës, angazhimi ynë në kabinet lidhet direkt me mandatin e ministrit. Ne të dy para se të bëhemi pjesë e kabinetit kemi qenë në marrëdhënie pune me kontrata në kohë të pa caktuara e ku kemi realizuar paga shumë më të mëdha se këtu. Pra angazhimi ynë në kabinet nuk është privilegj dhe nuk është se kemi ndërruar vend pune për te marr benifite ma të mëdha siç kanë bërë të tjerët më herët por edhe pse me paga më të ulëta, detyrat e marra jemi duke i kryer me shumë vullnet e krenari. Vlerësoj se angazhimi ynë është i drejtë edhe i ligjshëm”, ka thënë Podvorica për Reporterin.

Vetëvendosje që një kohë të gjatë, prej ekzistimit të saj kishte pasur në diskurs barazinë dhe shtrirjen e saj. E ka edhe në platformë.

“Republika është barazi. Barazinë e ka pikënisje: të gjitha qytetarët në të, pa kurrfarë dallimi, janë të barabartë. Ajo po ashtu ndërton mekanizma që garantojnë këtë barazi, vazhdimisht dhe pafundësisht. Kështu Republika barazinë e ka pikësynim… Ky shtet e siguron shoqërinë, e zhduk dallimin, margjinalizimin e shtypjen, e barazon gruan, e nxjerrë nga mjerimi të varfrin, dhe u garanton qasje në të mirat sociale të gjithëve. Këtë e bën Republika dhe kështu bëhet Republika”, shkruan nder të tjera në uebfaqen e Vetëvendosjes.

Si e tillë, Vetëvendosje kishte kritikuar shumë partitë e tjera që deri më tani kishin qeverisur duke punësuar familjarët e aktivistët nëpër institucione publike. Kishte kritikuar edhe emërimet nëpër borde, por ditë me parë edhe ajo vetë dërgoi disa zyrtarë partiak në bordet e ndërmarrjeve publike.