Një varr misterioz zbulohet në Gjirokastër

Gjatë punimeve për sistemimin e rrugës në kodrën e Shtufit në Gjirokastër, e cila është shembur nga reshjet, është zbuluar një varr i madh.

Vendorët nuk e dinë se kujt i përket ky varr, por do të bëjnë zhvendosjen e tyre sipas ligjit me qëllim që punimet të vazhdojnë.

Ky varr mbi të cilin është shënuar 1933 ka ndërprerë punimet në kodrën e Shtufit në Gjirokastër. Nuk dihet se kujt i përket dhe zyrtarisht nuk eksiston asnjë e dhënë shkresore. Bashkia do të bëjë zhvarrim sipas ligjit dhe nëse ka eshtra ato do të dërgohen në varrezat publike të qytetit.

“Ky varr dihej, ishte i identifikuar që gjendej këtu tek ky pozicion, po për ne është i paidentifikuar për faktin se nuk ka dokument se kujt i përket”.

Ndërkohë në fundjavë punimet do të rinisin me shpimin e sondave. Ato do të zgjasin jo me shumë se tre muaj.  Inxhinieri i firmës, Thanas Llanaj, thotë se moti nuk do të jetë favorizues, por janë marrë masat që punimet të mos ndërpriten.

“Kemi një javë që kanë filluar punimet dhe do të zgjasin tre muaj besoj do jetë mbaruar gjithë projekti”.

Një fond prej më shumë se 70 milionë lekësh pritet të rikthejë në identitet rrugën e shembur nga gërryerjet për shkak të reshjeve në fillim viti. Banorët shpresojnë që së shpejti lagja, shtëpitë dhe rruga e tyre të jenë të sigurta./abcnews.al