Johnson & Johnson, pret që të raportojë rezultatet nga prova klinike e vaksinës së saj Covid-19 javën e ardhshme, tha zyrtari kryesor financiar i farmacisë amerikane për CNBC.
Kompania pritet të aplikojë për një aprovim emergjent për një dozë të vetme në të njëjtën kohë, dhe ka të ngjarë të bëhet vaksina e tretë e autorizuar në SH.B.A.
”Ne kemi në plan të raportojmë deri në fillim të javës së ardhshme në lidhje me rezultatet tona,” tha Joseph Wolk.
Ai shtoi se studimi i fazës 3 me 45,000 njerëz në 80 vende potencialisht përfshinte raste të llojeve të reja të identifikuara në Afrikën e Jugut dhe Brazil.
“Për sa i përket furnizimit, ne jemi shumë të sigurt dhe në rrugën e duhur për të përmbushur të gjitha zotimet tona,” shtoi ai.
Këto përfshijnë 100 milion doza në SHBA deri në fund të qershorit, rreth 200 milion doza në fund të vitit në BE me dërgesat që fillojnë në rrill, dhe 200 milion doza në vendet në zhvillim që do të fillojnë të dërgohen në gjysmën e dytë të vitit.
Shtimi i një vaksine shtesë vjen ndërsa SH.B.A kërkon të përshpejtojë shkallën e saj të imunizimit, me Presidentin e ri Joe Biden që tani shënjestron 1.5 milion vaksinime në ditë. Biden njoftoi qëllimin e ri të hënën, i cili është më i lartë se politika e tij e mëparshme e 100 milion vaksinimeve brenda 100 ditëve të para të administratës së tij.







