“Një snajperist duke qëlluar”/ VIDEO që bëri bujë rinis hetimet për krime lufte në Sarajevë

Prokurorët për krime lufte në Bosnje-Hercegovinë, kanë nisur hetime pas publikimit të një videoje, në të cilën supozohet se një snajperist shihet duke gjuajtur gjatë kohës së rrethimit gati katërvjeçar të Sarajevës në vitet 1990.

Pamjet e publikuara nga gazetari francez Philippe Buffon në YouTube gjatë kësaj jave, besohet se shfaqin luftëtarët serbë të Bosnjës, duke u fshehur në një shtëpi te lagjet e Sarajevës.

Njëri prej tyre mund të shihet duke qëlluar me pushkë dhe duke thënë se ka qëlluar dikë “në kokë”.

Zyra e Prokurorit të Bosnje-Hercegovinës ka thënë përmes një deklarate se rasti është hapur “menjëherë”, pas paraqitjes së videos në internet.

Kjo zyrë ka thënë se Departamenti Special për Krime Lufte do të analizojë “të gjithë kushtet dhe rolin e të gjithë personave në incizim”.

Kompania lokale e telekomunikimeve Telemach BH ka thënë se ka kontaktuar prokurorët pasi një nga punëtorët e saj është parë në material.

Ajo ka thënë se ka larguar nga puna këtë person.

Videoja e publikuar në YouTube është hequr më 21 maj në këtë platformë.

Pamjet, që janë shpërndarë edhe nëpër rrjete sociale dhe televizionin lokal, kanë nxitur zemërim në kryeqytetin e Bosnjës, ku më shumë se 11,000 persona janë vrarë gjatë rrethimit gati katërvjeçar të Sarajevës nga forcat serbe të Bosnjës.