Nxënësit e shkollës fillore “Mehmet Gjevori” në Prishtinë tash e dy ditë nuk janë duke mbajtur mësim.

Edhe pse kjo shkollë në lagjen Arbëria është përuruar gjatë muajit shtator të këtij viti, si duket nuk po ofron kushte të favorshme për mbajtjen e procesit mësimor.

Abdullah Sejdiu nxënës i klasës së pestë në shkollën “Mehmet Gjevori” për KosovaPress thotë se ka dy ditë që nuk po shkon në shkollë, për shkak të të ftohtit.Ai shton se nga mësimdhënësit nxënësve u është kumtuar se orët e humbura do u zëvendësohen.E për orët që nxënësit po i humbin mjaft të shqetësuar janë edhe prindërit.

Elmaze Hajdini thotë se nipi i saj i cili vijon mësimet në këtë shkollë, ka dy ditë që nuk ka mbajtur mësim për shkak të ftohtit.Ajo pret që të hënën të bëhet një zgjidhje për këtë problem.Ndërsa, drejtoresha e kësaj shkolle, Valbona Kastrati, përmes telefonit i ka thënë KosovaPress-it se nga e hëna do të sigurohet ngrohja për këtë shkollë.

Sipas saj për shkak të të ftohtit janë detyruar që mësimin na ndërpresin për dy ditë.Lidhur me këtë problem nga komuna e Prishtinës kanë bërë me dije se nga dita e hënë mësimi do vazhdojë të mbahet normalisht në shkollën fillore “Mehmet Gjevori”.

Drejtori i Arsimit në komunën e Prishtinës Jonuz Salihaj premtoi se deri të hënën do të zgjidhet kjo çështje.Ndryshe, punimet për ndërtimin e kësaj shkolle kishin nisur që nga viti 2010, ndërsa u hap në shtator të këtij viti.