Përfaqësuesja e Minesotës, Ilhan Omar, pritet të bëjë histori në politikën amerikane si favorite për të fituar një vend në Kongresin Amerikan, duke u bërë ish-refugjatja e parë dhe gruaja e parë nga Afrika që i bashkohet Dhomës së Përfaqësuesve. Omar thotë se përdorimi i politikës për të ndikuar pozitivisht dhe për të zgjeruar demokracinë është e rëndësishme për të.
36 vjeçarja Ihan Omar, erdhi në Minesota 20 vite më parë, pasi u largua nga Somalia e përfshirë nga lufta dhe kaloi katër vjet në një kamp refugjatësh në Kenia.
Ajo pritet të fitojë me lehtësi ndaj sfidueses së saj republikane Jennifer Zielinski në Minesota, një bastion demokrat, raporton VOA.
Nëse Omar fiton, ajo mund të shkojë në Dhomën e Përfaqësuesve së bashku me një tjetër grua të besimit mysliman, demokraten Rashida Tlaib nga Detroiti, e cila pritet të fitojë një vend në Dhomën e Përfaqësuesve.
Omar thotë se nëse shkon në Uashington, ajo do të përballet me presidentin Donald Trump, për të cilin thotë se po nxit politika që i ndalojnë njerëzit si ajo të vijnë në Amerikë.
“Këto politika janë shumë të rrezikshme. Mendoj se ato shkojnë kundër idealit të këtij vendi. Shpresoj të shkoj në Uashington me kolegë të cilët ndajnë të njëjtën qasje sikurse unë, në mënyrë që ta vendosim presidentin përpara përgjegjësisë për politikat që po promovon, të cilat përhapin frikë e ndarje”, thotë Ilhan Omar, kandidate për Dhomën e Përfaqësuesve.
Në vitin 2016, Ilhan Omar bëri histori, kur u bë pjesë e Dhomës së Përfaqësuesve të Minesotës dhe u bë ligjvënësja e parë somalezo-amerikane e shtetit të saj ku ndodhet dhe komuniteti më i madh somalezo-amerikan në SHBA.







