Një raport i QNR-së për keqpërdorimet në numërim të votave do t’i dërgohet Prokurorisë për hetim

Prokurorisë i është hapur rruga që të veprojë për keqpërdorimet e qëllimshme dhe manipulimet e mundshme që çuan në rinumërim të rreth njëmijë vendvotimeve.

Tashmë kur procesi i rinumërimit ka përfunduar, stafit të Qendrës së Numërimit dhe të Rezultateve i mbetet ta bëjë auditimin dhe krahasimin e votave para dhe pas rinumërimit, raporton KTV.

Ky raport i audimit me mospërputhjet e mundshme të votave të deputetëve dhe subjekteve politike, do t’i dorëzohet Prokurorisë.

Burim Ahmetaj, udhëheqës i QNR-së thotë se megjithëse KQZ ftoi Prokurorinë të jetë e pranishme gjatë procesit të rinumërimit, ajo, megjithatë, nuk qëndroi aty gjatë gjithë kohës.

Kjo shkaku se, sipas Prokurorisë, nuk ishte e nevojshme një gjë e tillë pasi në fund, stafi i QNR-së që vlerëson nëse ka pasur shkelje të qëllimshme, në fund e njofton Prokurorinë.

Ndërkohë, gjatë rinumërimit të 530 vendvotimeve dolën në pah mospërputhje të mëdha të votave të kandidatëve për deputetë dhe subjekteve politike.

Disa parti politike dhe kandidatë për deputetë, në fillim kishin më pak vota bazuar në formularët e ardhur nga qendrat e votimeve, ndërsa pas rinumërimit morën më shumë vota ose anasjelltas.

Në Prokurorinë Themelore të Prishtinës, zëdhënësja Laureta Ulaj, përmes telefonit, i ka thënë televizionit se po e presin QNR-në dhe KQZ-në për t’u njoftuar rreth keqpërdorimeve të mundshme dhe më pas të procedojnë tutje.

loading…