Një nga tre nxënësit e therur sot në Prishtinë po lufton për jetë

Një nga tre nxënësit e therur sot në Prishtinë është në gjendje kritike.

Në shkollën e Mesme e Bujqësisë “Abdyl Frashëri”, janë therrur tre nxënës.

Mjeku kujdestar në Emergjencë, Naser Syla, ka thënë se njëri nga tre të lënduarit është në gjendje të rëndë dhe po lufton për jetë.

“Njëri prej tyre është në gjendje shumë kritike është në sallë të operacionit dhe është duke luftuar me jetën”, ka thënë Syla për Express.

Dy të tjerët janë në gjendje stabile.

Tre nxënës kanë marrë lëndime trupore nga thika brenda klasës në shkollën e Bujqësisë në Prishtinë. Njëri nga ta është në gjendje të rëndë, raportoi më herët Ballkani.info.

Lajmi u konfirmuar edhe nga Policia e Kosovës.

“Sot rreth orës 16:00, policia ka marrë informacionin se në lagjen Emshir në Prishtinë, saktësisht në një shkollë, ka ndodhur një përleshje fizike mes disa personave.

Në këtë rast janë lënduar tre persona:

A. A, mashkull , 16 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës

Sh. B, mashkull , 17 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës dhe

Sh. A, mashkull , 17 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës,

të cilët kanë marrë plagë nga arma e ftohët (thikë) dhe të njëjtit menjëherë janë dërguar në për trajtim mjekësor”, tha policia, transmeton Gazeta Express.

Po ashtu policia njofton se është në kërkim të tre personave të tjerë, lidhur me këtë rast.

“Si rezultat i kësaj policia ka arritur të identifikoj tre persona të dyshuar dhe është në kërkim të tyre”, përfundon policia.