Një mutacion i ri i Covid-19 – Këtë herë shfaqet në Japoni

Ekspertët paralajmërojnë se është shumë infektues, ngjashëm me mutacionin e Afrikës së Jugut dhe atë britanik.

Një degëzim i ri i koronavirusit është zbuluar në Japoni. Zyrtarët shëndetësorë thonë se ka ngjashmëri me variantet britanike dhe afrikane, që janë shumë infektuese, shkruan “DailyMail”.

Mutacioni, që nuk është vërejtur asnjëherë më parë është gjetur këtë herë në katër persona që kanë zbarkuar nga fluturimi prej Brazilit.

Sipas Nikkei Asia, pasagjerët kanë zbarkuar në aeroportin Haneda në Tokio me 2 janar. Grupi nuk është identifikuar, vetëm është thënë se ishin femra dhe meshkuj, nga adoleshent deri në të 40-tat.

Ata e bënë testin në aeroport dhe rezultuan pozitiv. Tre prej tyre kishin simptoma, duke përfshirë vështirësi në frymëmarrje, temperaturë dhe dhimbje fyti.

Sipas informatave, njëri prej tyre, një burrë rreth moshës 40 vjeç, kur arriti nuk kishte simptoma por tani është i shtrirë në spital si pasojë e vështirësive në frymëmarrje.

Instituti Nacional i Sëmundjeve Infektuese e konfirmoi se ata janë të infektuar me një variant të ri.

Informacionet për këtë variant janë të pakta, prandaj nuk mund të thuhet sigurt se sa infektues është, por ekspertët dyshojnë të jetë po aq infektues sa variantet e tjera.