Një muaj paraburgim për ferizajasin që sulmoi gruan e tij

Gjykata Themelore në Ferizaj, Departamenti për Krime të Rënda, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit K.E., shtetas i Republikës së Kosovës, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale lëndim i lehtë trupor, kanosje, mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.

“I pandehuri dyshohet se më 3 qershor 2019, në Ferizaj, përkatësisht në shtëpinë e tij, pas një mosmarrëveshje paraprake dhe konflikti verbal lidhur me disa para që i kërkonte të dëmtuarës – bashkëshortes së tij, i pandehuri e sulmon të dëmtuarën duke e goditur me grushte në fytyrë nga të cilat goditje e dëmtuara pëson lëndime trupore”, thuhet në komunikatë.

Me këtë rast i pandehuri ka kanosur të dëmtuarën edhe me përdorimin e sëpatës, me çka ka shkaktuar frikë tek e dëmtuara.

Gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit të dyshuar, e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj.

Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.