Një muaj paraburgim ndaj të dyshuarit të 12-të për dhunimin e 11-vjeçares

Gjykata Themelore në Prishtinë ka pranuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, duke ia caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh, të dyshuarit të 12-të, B.Rr, për dhunimin e 11-vjeçares.

Lajmin për “Betimi për Drejtësi“, e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë, të mërkurën ka njoftuar për ndalimin e të dyshuarit të moshës madhore, nën dyshimin për dhunimin e të miturës në qershor të këtij viti.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ka ndaluar një person (madhor) në kohëzgjatje prej 48 orësh, nën dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “Dhunimi”, sipas KPRK-së, lidhur me rastin e 11-vjeçares, në qershor të vitit 2022. Po ashtu, ju njoftojmë se Prokurori i Shtetit brenda afatit ligjor do të ushtrojë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit, në gjykatën kompetente”, thuhej në njoftim e Prokurorisë.

Ndryshe, lidhur me këtë rast janë arrestuar edhe 11 të dyshuar të tjerë, të cilët gjenden nën masën e paraburgimit. 

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.