Gjykata Themelore në Gjakovë – Departamenti për Krime të Rënda, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjakovës, për caktimin e masës së paraburgimit, ndaj të dyshuarit N. B. shtetas i Republikës së Shqipërisë, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

I pandehuri dyshohet se më 19 qershor 2019, në pikën kufitare “Qafë Morinë” në Gjakovë, gjatë kontrollit të veturës të cilën e drejtonte i pandehuri, në pjesën e pasme pikërisht në bagazh i janë gjetur shtatë thasë të mbushur me substancë e cila dyshohet të jetë e llojit Marihuanë me peshë prej 48 kilogram e 650 gram, të cilën sasi i pandehuri e kishte marrë nga personi P.Q. në qytetin Bajram Curri me qëllim trafikimi në Kosovë.

I pandehuri do të mbahet në paraburgim për një muaj, i cili do të llogaritet nga data 20 qershor 2019 dhe do të zgjasë deri më 19 korrik 2019.

Gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të rënda, Shaqir Zika, ka aprovuar si të bazuar kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të dyshuarit N.B., konform dispozitave të KPPRK-së.

Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi, në Gjykatën e Apelit.