Një mjek i Spitalit të Gjilanit infektohet me koronavirus

Një mjek i Spitalit të Përgjithshëm të Gjilanit ka rezultuar pozitiv me COVID19, ndërsa në repartin infektiv të këtij spitali janë duke u trajtuar vetëm dy persona si të dyshuar me koronavirus.

Kështu ka njoftuar drejtori i Spitalit të Përgjithshëm të Gjilanit, Nisret Hajrullahu i cili tha se çdo ditë në këtë spital merren mostrat e personave të dyshuar me virusin e të cilat me pas dërgohen në IKSHP në Prishtinë.

“Momentalisht në repartin e sëmundjeve infektive ka pasur vetëm nga një pacientë të cilët janë të dyshimtë dhe që janë testuar, aktualisht nuk kemi me COVID të shtruar në repart… Çdo ditë gati kemi që domethënë ose refuzojnë ose janë me pasqyrë klinike jo të rëndë që mund të presin. Fillimisht u caktohen indikacionet për testin dhe të nesërmen hyjnë pastaj në planifikim për testim dhe realizohet testi…Momentalisht dje është diagnostikuar një doktorm të tjerë jo”, tha ai për KP.

Hajrullahu derisa ka folur për kapacitetet e spitalit të Gjilanit tha se aktualisht 10 shtretër janë dedikuar për të infektuarit me koronavirus, por që varësisht prej situatës ata mund t’i rrisin kapacitetet edhe në repartet e tjera.

“Momentalisht i kemi caktuar 10 shtretër në repartin Infektiv për rastet e dyshimta dhe rastet të cilat janë me COVID pozitiv por që kanë pasqyrë klinike dhe ne mund ta menaxhojmë. Kurse, repartet të sëmundjeve interne dhe të Pulmologjisë i kanë dhomat e izolimit për rastet të cilat janë me pasqyrë klinike të dyshimtë që duhet ose planifikohet të testohen edhe ata pacientë…Ky kapacitet mund të shtohet varësisht prej nevojave, por ato tani për tani janë të dedikuara për rastet e dyshimta dhe me COVID”, theksoi Hajrullahu.

Drejtori i Spitalit të Përgjithshëm të Gjilanit, Nisret Hajrullahu për KosovaPress po ashtu tha se janë mirë të furnizuar me pajisje të nevojshme për trajtimin e pacientëve me COVID.

“Momentalisht jemi të furnizuar mirë tash nuk po e di si ka me ndodh situata, por momentalisht kemi material për masa mbrojtëse, maska, dezinfektues, mantele për një përdorim kapacitetet epidemiologjike të gjitha i kemi…Nuk kemi terapi diçka të veçantë pasi që nuk ka ndonjë protokoll të veçantë të mjekimit por me terapi simptomatike që themi ne jemi të pajisur me infuzionet, me terapi kundër temperaturës, antibiotik diçka bazik kemi… Përveç stafit të repartit të sëmundjeve infektive mjekë jemi gjashtë infektologë, por megjithatë me infermierë mund të bëjmë lëvizje prej reparteve të tjera që mund t’u dalin në ndihmë në rast nevoje”, tha ai.

Vetëm gjatë ditës së djeshme 113 persona kanë rezultuar pozitiv me koronavirus, prej tyre janë të shëruar 67.

Numri total i rasteve pozitive nga 13 marsi në Kosovë ka shkuar në 2991 , derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 1.644 raste, kurse raste aktive janë 1293. Betejën me COVID19 në vendin tonë e kanë humbur gjithsej 54 persona të cilët kanë pasur edhe sëmundje të tjera shoqëruese.