Një mjek dhe familja e tij në mesin e 6 të infektuarve në Komunën e Deçanit

Gjatë 24 orëve të fundit në Komunën e Deçanit janë konfirmuar 6 raste me koronavirus nga 195 sosh sa ishin në gjithë Kosovën.

Në mesin e të infektuarve është një mjek i pediatrisë punonjës në qendrën kryesore të Mjekësisë Familjare “Adem Ukhaxhaj”.

Ndërsa mësohet se të infektuarit e tjerë janë familjar të mjekut në fjalë.

Komuna e Deçanit ishte njëra prej komunave me më së paku raste në Kosovë. Për disa javë kjo komune nuk kishte raste të reja.

E kryetari i kësaj komune, Bashkim Ramosaj ka kërkuar kujdes nga qytetarët dhe të vazhdojnë t’i respektojnë masat.

“Të dashur qytetarë të komunës së Deçanit. Në komunën tonë dje u identifikuan 6 raste pozitive me COVID-19. Gjersa numri i rasteve në Kosovë sa shkon e rritet, duhet të shtoni kujdesin për veten e njerëzve që ju rrethojnë. Vendosini maskat, pastroni duart e mbani distancën, sepse bartja e virusit tek dikush me sëmundje kronike, mund t’ia vështirësoj gjendjen shëndetësore. Kujdesuni për njëri-tjetrin”, ka shkruar Ramosaj në Facebook.

IKSHPK bën thirrje që të respektohen rekomandimet. Mbajtja e distancës dhe maskës është një prej kushteve kryesore që ndikon në mos shpërndarjen e virusit. /Gazeta Metro/