Një kushërirë e deputetit të LVV-së punësohet në arsim, reagon ai: I bëhej e padrejtë

Dafina Haziri-Kajtazi, një familjare e deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Fitim Haziri, është punësuar në pozitën e mësimdhënëses së biologjisë në prill të këtij viti, bazuar në një konkurs të Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Podujevës.

Në konkursin e shpallur në janar të këtij viti, procedurat e të cilit përfunduan katër muaj më vonë, Haziri-Kajtazi u përzgjodh kandidatja më e suksesshme në një konkurs publik për një pozitë të lirë pune si mësimdhënës në lëndën e biologjisë.

Komisioni Përzgjedhës e vlerësoi Haziri-Kajtazin, e diplomuar në master në mësimdhënie të biologji-kimisë në Fakultetin e Edukimit në Universitetin publik (UP), kandidaten më të suksesshme nga lista e ngushtë prej tetë aplikantëve, tregojnë shkresat zyrtare.

Deputeti Fitim Haziri, një nga kuadrot më pushtetshëm politik të Lëvizjes Vetëvendosje në Podujevë, nuk e ka mohuar lidhjen familjare me Dafinë Haziri-Kajtazin. Megjithatë, ai ka mohuar të ketë ndikuar në punësimin e familjares së tij.

Ai ka thënë se mësimdhënësen e re të biologjisë nuk e ka kushërirë të afërt, por “të largët”.

“Nuk e kam vajzë të axhës, është kushërire e largët dhe jo, nuk kam pasur kurrfarë ndikimi [në punësimin e saj, v.j]”, ka deklaruar deputeti Haziri në një bisedë telefonike me Paparacin të mërkurën.

Deputeti, megjithatë ka pohuar se është në dijeni të situatës së kushërirës së tij. Ka thënë se asaj i është bërë e padrejtë në konkurse punësimi në të kaluarën.

“Bile me sa e di unë asaj i është bërë shumë e padrejtë më përpara që nuk është pranuar [në punë]”, ka thënë ai.

Lëvizja Vetëvendosje është përballur me kritika për punësime mbi baza partiake apo familjare në institucionet publike, tash e dy vjet prej ngjitjes në pushtetin qendror.

Konkursi për mësimdhënës për lëndën e Biologjisë nga Drejtoria e Arsimit në Komunën e Podujevës, ishte hapur në janar të këtij viti.