Një ish-polici i gjenden në oborr mbetjet e 24 trupave

Mbetjet trupore të së paku 24 personave janë gjetur në oborrin e shtëpisë së një ish-polici në El Salvador.

Zyrtarët thanë se në varrezën masive që u zbulua në oborr mund të jenë deri në 40 trupa. Shumica besohet se janë trupa të grave ose vajzave. Nxjerrja e të gjithë trupave mund të zgjasë edhe një muaj.

Policia e shtetit të vogël të Amerikës Latine beson se ky zbulim tregon për një rrjet sekret të vrasjeve që ka operuar për më shumë se një dekadë, shkruan BBC.

Ndryshe, El Salvadori është në mesin e shteteve me shkallën më të lartë të vrasjes së grave në Amerikën Latine.

Ish-polici Ernesto Osorio Chavez, 51 vjeç, u ndalua këtë muaj në Chachuapa për vrasjen e një gruaje 57-vjeçare dhe vajzës së saj 26-vjeçare. Ai është hetuar edhe më parë për krime seksuale dhe rrëfeu për këto vrasje në polici.

Megjithatë, kur ekipet e forenzikës ia bastisën shtëpinë, ato gjetën së paku shtatë gropa me trupa njerëzish, disa prej të cilëve mund të jenë varrosur para dy vjetësh.

Për këtë rast po përballen me akuza së paku dhjetë persona. Në mesin e të dyshuarve ka ish-policë, ish-ushtarë dhe trafikues të njerëzve, tha komandanti i policisë civile, Mauricio Arriaza Chicas.

Prokurorët thonë se në mesin e viktimave mund të ketë edhe vajza të moshës së njomë nga dy deri në nëntëvjeçare.