Një i prekur me koronavirus në Mitrovicën e Veriut është punonjës i burgut

Shtabi i Krizës në veri të Mitrovicës ka bërë të ditur edhe për një të infektuar me koronavirus.

Gjatë ditës në pjesën veriore të Mitrovicës është konfirmuar edhe një rast i infektuar me koronavirus.

Sipas Aleksandar Spiriq, bëhet fjalë për një person të moshës 37-vjeçare, transmeton lajmi.net.

Siç raporton “KoSSev”, mësohet se 37-vjeçari është punonjës shëndetësor në njësinë e paraburgimit në pjesën veriore të Mitrovicës.

Sipas këtij mediumi, 37-vjeçari është duke u trajtuar në Qendrën Klinike të Mitrovicës dhe se gjendja e tij shëndetësore është e mirë.

Në një konferencë për medie, Aleksandar Spiriq, ka thënë se njëri prej të infektuarve me COVID-19 do të transportohet në Qendrën Klinike në qytetin e Nishit në Serbi.

Sipas tij, deri më tani në Prishtinë janë dërguar analizat e shtatë personave dhe rezultatet pritet të dalin në fund të ditës. Të gjithë këta persona që janë testuar janë punonjës të burgut.