Bastisje

Një i arrestuar nga bastisja në argjendarinë “Baraku”

Pjesëtarët e Njësisë Speciale Intervenuese, kanë kryer përsëri bastisje në argjendarinë në Prishtinë, pronari i së cilës u arrestua ditë më parë në lidhje me grabitjen në Suharekë.

Një person është arrestuar gjatë aksionit të bastisjes së Njësisë Speciale Intervenuese sonte në argjendarinë “Baraku” në Prishtinë.

Në aksionin e ri janë duke u konfiskuar sërish stoli ari, ndërsa brenda lokalit ka hetues policorë dhe zyrtarë doganorë.

Pronari i kësaj argjendarie, Trim Baraku, ishte arrestuar për bashkëpunim me grupin që kryen grabitjen në Suharekë pas një operacioni të gjerë policor.

Ai po dyshohet se ka bashkëpunuar me grupin kriminal në rastin e grabitjes së arit në vlerë 250 mijë eurove.

Policia e Kosovës edhe ditë më parë ka bastisur këtë argjendari, e cila pas arrestimit të pronarit është mbyllur.

Ndryshe, më 22 nëntor 2023 ka ndodhur një plaçkitje e armatosur në një argjendari në Suharekë.

Në tentativën për ta parandaluar plaçkitjen, është plagosur një polic.

Ndaj katër të pandehurve Bujar Basha, Leotrin Cakolli, Besart Istrefi dhe Trim Baraku të premten është caktuar 1 muaj paraburgim.