Komuna e Junikut ka përfunduar asfaltimin e rrugës “Shkelzen Gacaferi”, e cila lidh lagjet Hoxhë, Gacafer dhe Tofaj. Kjo rrugë konsiderohet një nga rrugët lokale kryesore të qytetit dhe përfundimi i saj shënon një tjetër projekt të realizuar gjatë mandatit të parë të kryetarit Ruzhdi Shehu.

Në një njoftim për qytetarët, kryetari Shehu shprehu kënaqësinë për ecurinë e projekteve infrastrukturore në komunë:

“Në kuadër të projektit për asfaltimin e rrugëve lokale dhe rrugicave, kam kënaqësinë të ju njoftoj se është përfunduar edhe rruga ‘Shkelzen Gacaferi’. Kjo rrugë i lidhë lagjet Hoxhë-Gacafer-Tofaj dhe si e tillë është një nga rrugët lokale kryesore të Komunës së Junikut. Ky është një tjetër premtim të cilin e kemi realizuar në mandatin e parë,” ka deklaruar Shehu.

Ai shtoi se po përfundojnë edhe punimet në disa rrugë të tjera lokale, duke paralajmëruar se shumë shpejt të gjitha rrugët brenda territorit të Junikut do të jenë të asfaltuara.

“Së shpejti, të gjitha rrugët lokale në Junik do të asfaltohen pa përjashtim. Në këtë mënyrë do të përfundojmë ndërtimin e infrastrukturës moderne rrugore të Junikut,” tha Shehu, duke uruar qytetarët për projektin e përfunduar.

Kryetari përmbylli njoftimin me mesazhin e tij të zakonshëm për mbështetësit: “Urime të gjithëve. Vazhdojmë +4 pa balotazh.”