Uganda

Një grua nga Uganda lind binjakët në moshën 70-vjeçare, tre vjet më parë në të njëjtin spital solli në jetë edhe një vajzë

Safina Namukwaya, një grua 70-vjeçare nga Uganda, solli në jetë binjakët me ndihmën e trajtimit të fekondimit artificial dhe kështu u bë një nga nënat më të vjetra në botë.

Nëna e një djali dhe një vajze lindi me prerje cezariane në një spital në kryeqytetin Kampala, transmeton Telegrafi.

Spitali Ndërkombëtar i Grave dhe Qendra e Fertilitetit, tha se Namukwaya është mirë, flet dhe ecë pa problem.

Kjo grua lindi edhe një vajzë në vitin 2020, kur ishte 67 vjeçe, në të njëjtin spital me ndihmën e fekondimit artificial.

Namukwaya është gruaja më e vjetër që ka lindur në spital, i cili është i specializuar për të ndihmuar çiftet të kenë fëmijë dhe është në pronësi të një gjinekologu të njohur nga rajoni i Afrikës Lindore.

Kërkimet mbi trajtimin e fekondimit artificial kanë pasur sukses në vitet e fundit. Në jug të Indisë në vitin 2019, një grua 73-vjeçare lindi binjakë pas një trajtimi të tillë.