Kanada

Një grua 54 vjeçe vdes pasi e mori vaksinën e AstraZeneca-s

Kanadaja të martën e regjistroi vdekjen e parë të një pacienteje me mpiksje të rrallë të gjakut pas marrjes së vaksinës së kompanisë “AstraZeneca” kundër Covid-19.

Viktima u regjistrua në provincën e Kuebekut, ndërsa Kanadaja deri më tani ka raportuar së paku pesë raste të pacientëve me mpiksje të gjakut pas vaksinimit. Megjithatë, zyrtarët e shëndetit publik vazhdojnë të thonë se përfitimet e vaksinës ua marrin anën rreziqeve të mundshme.

Drejtori i Shëndetit Publik në Kuebek, Horacio Arruda, tha para gazetarëve se vdekja e pacientes 54-vjeçare nga mpiksja e gjakut nuk do ta ndryshojë strategjinë e vaksinimit në këtë provincë, shkruan Reuters

Agjencia e Shëndetit Publik në Kanada tha se raportet për mpiksje të gjakut me numër të vogël të trombociteve te personat e vaksinuar me vaksinën e “AstraZeneca”-s janë serioze por shumë të rralla.

Në mesin e rasteve të para me këtë problem shëndetësor në Evropë nga grupi i personave që e morën vaksinën në fjalë, 40 për qind e pacientëve kanë vdekur. Megjithatë, autoritetet kanadeze thanë se rreziku për këtë problem ka gjasë të bjerë me rritjen e vëmendjes dhe trajtimin e hershëm.

Ministri rajonal i Shëndetësisë, Christina Dube, tha se në Quebec vaksinën e “AstraZeneca”-s deri më tani e kanë marrë rreth 400 mijë persona. Vaksinimi atje lejohet vetëm për personat mbi moshën 45-vjeçare.