Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha të hënën në një konferencë për media se synim i Kosovës është që të arrijë një marrëveshje gjithëpërfshirëse me Serbinë, e cila do të ishte ligjërisht e obligueshme në rrafshin ndërkombëtar.
Sipas tij, një marrëveshje e tillë do t’i siguronte Kosovës ulësen në Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe do t’i hapte perspektivën në integrimet euro-atlantike.
Ai paraprakisht kishte takuar bashkëkryesuesit e Ekipit Negociator, Fatmir Limajn dhe Shpend Ahmetin, shkruan Ballkani.info.
Në njoftimin nga takimi i shpërndarë në llogarinë e Thaçit në Facebook, shihet se takimi ka shkuar mirë, meqë presidenti ishte dukshëm më i buzëqeshur se herave tjera.

“Sot pata një takim shumë të mirë me kryesuesit e Ekipit Negociator, zëvendëskryeministrin Limaj dhe kryetarin Ahmeti, me të cilët bisedova për procesin e fazës së fundit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Në funksion të koordinimit dhe harmonizimit të veprimeve tona shtetërore, edhe në formë të shkruar i informova dy kryesuesit për temat që janë diskutuar deri më sot dhe rolin konstruktiv që ka ndjekur dhe duhet të vazhdojë të ndjekë Kosova në këtë proces. Ne u pajtuam që ky proces, i cili kërkon unitet shoqëror dhe konsensus politik, do të përfundojë me një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të obligueshme. Kjo marrëveshje do t’ia sigurojë Kosovës anëtarësimin në BE, NATO dhe OKB. HTH”, shkruan Thaçi në Facebook. /Ballkani.info/








