Një ekip tjetër i FSK-së u nis sonte drejt Turqisë, merr pajisje speciale të punës me vete

Sot është nisur edhe një ekip i Forcës së Sigurisë së Kosovë për në Turqi, për t’i mbështetur operacionet e Kërkim-Shpëtimit pas tërmetit katastrofal që ndodhi ditë më parë, ku la të vdekur mbi 20 mijë persona në Turqi, dhe mbi 3 mijë në Siri.

FSK përmes një njoftimi për media tha se ekipi që u nis për në Turqi është i përbërë nga oficerë e nënoficerë, të cilët kanë marrë me vete edhe pajisje specialist të punës që të ndihmojnë në zhvillimin sa më efikas të operacioneve.

“Është nisur sot edhe një ekip e Forcës së Sigurisë së Kosovë, për të mbështetur operacionet e Kërkim-Shpëtimit të kontingjentit të FSK-së, në Zonën e Operacionit në Republikën e Turqisë. Ekipi i përbërë nga oficer e nënoficer do t’i bashkohet kontingjentit për të mbështetur operacionet me personel dhe pajisje specialistike të punës që do të ndihmojnë në zhvillimin sa më efikas të operacioneve”, thuhet në njoftim.

Kujtojmë se menjëherë pas tërmetit, ekipi i parë i FSK-së ka shkuar në Turqi për t’u ndihmuar për gjetjen e personave që kanë mbetur nën rrënoja.