Kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi ka thënë se pacientja që ka rezultuar pozitive me koronavirus para dy ditësh është në gjendje të rëndë shëndetësore.

“Pacientja ka gjendje të rëndë shëndetësore. Ka probleme me zemër, diabet dhe frymëmarrje. Uroj që të mbijetoj nga kjo gjendje shëndetësore. Pacientja që është kontakt i saj ka gjendje të mirë shëndetësore”, deklaroi Latifi.

IKSHPK ka njoftuar mbrëmë për një rast të ri në Rahovec, ndërsa kryetari Latifi thotë se i prekuri është rast kontakti i rastit që u konfirmua para dy ditësh.

Latifi shtoi më tej se vetëm në këtë komunë janë regjistruar edhe shtatë të shëruar nga koronavirusi.

“Numri i përgjithshëm i të shëruarve në komunën tonë nga koronavirusi ka shkuar në 31 ndërsa kanë mbetur edhe katër raste aktive”, ka thënë ai në RTV Dukagjini.

Latifi tha se sot priten rezultatet edhe për 12 raste tjera.