Një dozë e Pfizerit ose AstraZenecas zvogëlon shkallën e infektimit me COVID-19 për 65%

Një dozë e vaksinës së Oxford/AstraZenecas apo Pfizer/BioNTechut zvogëlon infektimet me COVID-19 për gati 2/3 dhe mbron të moshuarit dhe personat më të ndjeshëm, po aq sa të rinjtë dhe të shëndetshëm, ka gjetur një studim.

Rezultatet nga Universiteti i Oxfordit dhe Zyrës Kombëtare të Statistikave janë mirëpritur si nxitje për programin e vaksinimit dhe janë të parat që tregojnë ndikimin që ka në infeksionet e reja dhe përgjigjet në imunitet në një grup të rriturish në popullatën e përgjithshme.

Duke ulur shkallën e infektimeve, vaksinat jo vetëm që do të parandalojnë hospitalizimet dhe vdekjet, por ndihmojnë të thyejë zinxhirët e transmetimit dhe të zvogëlojë rrezikun e rishfaqjes së dëmshëm të sëmundjes ndërsa Mbretëria e Bashkuar po shkon drejt hapjes.

Studiuesit analizuan rezultatet e testit për COVID-19 nga mbi 350,000 njerëz në Mbretërinë e Bashkuar në mes të dhjetorit dhe prillit. Ata gjetën se 21 ditë pas dozës së parë, infektimet e reja me virus ranë për 65 për qind.

Vaksinat ishin më efektive ndaj të infektuarve simptomatikë sesa asimptomatikë, duke ulur shkallën për 72 për qind dhe 57 për qind krahasuar me ato që shihen në një popullatë të pavaksinuar.

Një dozë e dytë e Pfizerit rriti më tej mbrojtjen, duke bërë që infeksionet simptomatike të bien për 90 për qind dhe ato asimptomatike për 70 për qind. Për shkak se vaksina e Oxfordit u aprovua dhe lëshua më vonë, është herët për të vlerësuar ndikimin e dozave të dyta.

Shkencëtarët thanë se gjetjet mbështesnin vendimin e Mbretërisë së Bashkuar për të prioritizuar dhënien e dozave të para për të moshuarit dhe për më të dobëtit në shëndet duke shtyrë dozat e dyta.

Këto rezultate janë të rëndësishme sepse demonstrojnë efektin mbrojtës të vaksinave në botë kundër varianteve të reja që janë më të rrezikshme.

Më pas u analizuan përgjigjet e antitrupave ndaj vaksinave. Antritrupat ngriten më shpejt në nivel më të lartë me një dozë të vaksinës së Pfizerit, por më pas ranë sërish, veçanërisht tek të moshuarit, një nivel i ngjashëm me dozën e Oxfordit. Tek të rinjtë, një dozë e vaksinës rriti antitrupat në nivelet si pas infektimit me COVID-19, ndërsa tek të moshuarit kjo u arrit me dy doza, shkruan The Guardian.

Në shkurt, Shëndeti Publik i Skocisë zbuloi se një muaj pas marrjes së vaksinës së Pfizerit ose Oxford/AstraZenecas, rreziku për hospitalizim nga koronavirusi ra në 85 për qind dhe 94 për qind.

Një raport i ndarë nga ky, i lëshuar të enjten, tha se javën e fundit përqindja e njerëzve që kanë rezultuar pozitivë me koronavirus ka rënë.