Kërkesën e Bashkimit Evropian ndaj Serbisë që kjo e fundit duhet të bashkërendojë politikat e saj të jashtme dhe të sigurisë me BE-në, e cila nënkupton pikësëpari vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë, Sekretari i shtetit në Ministrinë e Jashtme të Serbisë, Nemanja Staroviç e quajti “ndryshim i rregullave të lojës gjatë kohës sa po zhvillohet loja”, shkruan gazeta online Reporteri.net.

Ndonëse Serbia është kandidate për anëtarësim në BE, Staroviç tha në televizionin serb “Pink” se një gjë e tillë “nuk definohet askund si obligim i ynë”.

“Edhe nëse kjo do të ndodhte, që nuk do të ndodh, nuk ka valorizim adekuat” ndaj Serbisë, tha ai. Si shembuj, ai mori Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, për të cilët tha se kanë bashkërenduar politikat e tyre në tërësi me BE-në, “dhe asgjë”.

“Në çfarë mënyre është valorizuar kjo dhe a kanë bërë ndonjë progres në rrugët evropiane të tyre”, pyeti ai, duke e arsyetuar në një mënyrë të re mosrreshtimin e Serbisë kah BE-ja.

“Kam frikë se jo. Anëtarësimi në BE është padyshim prioritet i politikës sonë të kashtme, është padyshim në interesin e shtetit dhe qytetarëve tonë, por të flasim sot për perspektivë evorpiane, pa dhënë kornizë të qartë për datën e anëtarësimit të plotë, është krejtësisht e kotë”, ka vlerësuar Nemanja Staroviç.

Deklaratat e fundit nga zyrtarët e BE-së se Serbia rrezikon të margjinalizohet nga unione evropiane po qe se kjo e fundit vazhdon “të qëndrojë në dy karrige”, ai i ka quajtur “ultimate, të cilave Serbia asnjëherë nuk u ka reaguar mirë”.

Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviç, ditë më parë tha se pezullimi i negociatave të Serbisë me BE-në, “është gjëja më e natyrshme dhe e logjikshme”, dhe se në një kohë “kur shihet qartë e mira dhe e keqja, Serbia nuk mund të qëndrojë në dy karrige”./Reporteri.net/