Nitaj konteston përfaqësimin e sindikalistëve: Arsimi s’ka sindikatë!

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Muharrem Nitaj, ka thënë se dyshon nëse sindikalistët e arsimit po e përfaqësojnë njëmend arsimin.

“Dyshoj se këta të sindikatës së arsimit e përfaqësojnë arsimin. Realisht arsimi as që ka sindikatë. I ka disa njerëz që në emër të arsimit flasin e arsimimi i tyre lë shumë mangut! Prej se i mbaj mend, në çdo fillimviti, këta kërcënojnë me greva dhe gjithmonë kërkojnë pare”, ka shkruar Nitaj.

Deputeti i AAK-së ka thënë se “kurrë nuk është mjaft për arsimin e as për pagat e tyre, por punëtorët e arsimit në Kosovë nuk janë as për një grimcë më keq se sa punëtorët e sektorëve të tjerë publikë”.

“Prandaj këta far sindikalistësh është mirë që të zbresin me këmbë në tokë. Sapo kaloi ligji për punëtorët e arsimit të viteve 90-të, sapo janë bërë propozime për rritje pagash tē tyre në ligjin për pagat…e këta hop e në televizor, hop e në grevë! Pagat e mësuesve në Kosovë, janë ndër më të lartat në rajon dhe nuk jam aspak kundër që të rriten edhe më, por gjithçka në kohën e vet!”, ka thënë Nitaj.