Nisma numëron “problemet” e mësimit në distancë, kërkon që Testi i Maturës të mbahet në këtë datë

Anëtari i Kryesisë së Nismës, Fehmi Hysenaj, ka mbajtur konferencë për medie ku ka përmendur disa nga mangësitë e mësimit në distancë.

Ai gjithashtu ka publikuar edhe planin e Nismës Socialdemokrate në lidhje me testin e maturës.

Ish-kryetari komisionit të maturës ka thënë që testi duhet të mbahet me 1 korrik dhe mos të jenë më shumë se 12 nxënës në klasa.

“Testi i maturës të mbahet me 1 korrik nëse situata nuk përkeqësohet dhe qendrat të kenë 80/100 nxënës dhe një klasë jo më shumë se 12 nxënës dhe të kenë masat mbrojtëse. Po ashtu në TV publik të transmetohen dhe vetëm lëndët obligative dhe testi të ketë 120 kërkesa”, ka thënë ai.

Hysenaj ka përmendur disa nga të metat që sipas tij, e kanë shoqëruar këtë proces;

– Mungesa e harmonizimit e këtyre materialeve me planprogramet mësimore

– Si pasojë e mungesës së mbikëqyrjes së duhur të këtyre materialeve, kohë pas kohë janë lëshuar edhe gabime

– Disa materiale që janë transmetuar kanë qenë jashtë përmbajtjes së teksteve shkollore

·- Mungesa e transmetimit të materialeve për disa lëndë

– Mungesa e një mekanizmi të mirëfilltë për përcjelljen e progresit të nxënësve

· Udhëzuesi që është përgatitur nga MAShTI, nuk duhej të ishte aq i komplikuar, por sa më i thjeshtë dhe i lehtë për tu praktikuar, në mënyrë që të sigurohet arritja e kompetencave të nxënësve sipas Kornizës së Kurrikulit të Kosovës.

Po ashtu, anëtari i kryesisë së Nismës, tha se ndër arsyet bazë që i gjithë ky proces nuk ka shkuar ashtu siç duhet, është edhe metoda e përdorur për të transmetuar këto materiale. Ai tha se, nxënësve u janë transmetuar materialet mësimore përmes metodave të pa papërshtatshme.

“Maturantët nuk kanë qenë aspak të informuar në lidhje me këtë proces. Për Nismën është i papranueshëm ndryshimi i anëtarëve profesionistë të Komisionit Shtetëror të Maturës, që ndodhi kohë më parë, sepse puna e atij komisioni ishte vlerësuar nga të gjithë akterët relevantë”, theksoi Hysenaj.

“Ne si Nismë e mirëkuptojmë kërkesën që po bëhet përmes një peticioni online të maturantëve për anulim të testit të maturës për këtë vit, për shkak të pandemisë, mirëpo kjo është e pamundur të ndodh për shkak të kufizimeve dhe obligimeve ligjore që kemi si shtet”, ka thënë tutje ai.

Në fund të kësaj konference, ai ka paraqitur edhe disa propozime konkrete që lidhen me Maturën Shtetërore;

-Testi i maturës shtetërore të mbahet më 1 korrik 2020, nëse situata me pandeminë nuk përkeqësohet.

-Qendrat e testimit të kenë më së shumti 80-100 nxënës

-Në një klasë mos të ketë më shumë se 12 nxënës dhe t’i kenë të gjithë pajisjet mbrojtëse dhe të kenë distancë mes vete konform sugjerimeve të IKSHP

-15 ditë para testit, maturantët për efekt psikologjik dhe social t’i vizitojnë shkollat dhe të obligohen mësimdhënësit që te ofrojnë programe mbështetëse mësimi enkas për maturën.

-Në televizionin publik të transmetohen orë mësimi për mature shtetërore duke filluar nga java e fundi e majit dhe të zgjedhën profesorët më eminentë, ky mësim do të mjaftonte për lëndët obligative sipas ligjit: Gjuhë amtare, Gjuhë angleze dhe Matematikë

-Testi të ketë së paku 120 kërkesa.