Nisma e Limajt i “gjuhet” Haradinajt, ia përmendin dorëheqjen çdo ditë!

Pas intervistës së sotme të Jakup Krasniqit ku tha se po të ishte kryeministër do të jepte dorëheqje ka reaguar deputeti i Nismës, Milaim Zeka.

Deputeti thotë se do ta përkrahte rrëzimin e Qeverisë, por sipas tij edhe nëse do të mbaheshin zgjedhjet nuk do të ketë asnjë ndryshim.

“Ka disa here me radhe, qe zyrtari me i larte i NISMË-s, poë perserite refrenin e tije: “Po te isha ne vendin e kryeministrit Haradinaj, do te kisha dhene doreheqeje. Kjo kerkese nuk eshte as e drejte, as korrekte, pasiqe ajo duhet drejtuar ne adrese te zv. Kryeministrit Limaj dhe gjithe kabinetit qeveritar te Nismes. Ne kete menyre, çdo kush do ta besonte”, shkruan Zeka.

Beson se edhe nëse vendi shkon në zgjedhje nuk do të ketë ndryshim për vendin.

“Une personalisht do ta perkraheja rrezimin e qeverise, nese dikush do me tregonte se çfare do te behej me mire ne kete vend, nese neser do te mbaheshin zgjedhejet e reja? Do kete ndryshim? Jo”, ka përfunduar ai.

Ditëve të fundit janë shtuar zërat nga Nisma e Fatmir Limajt për dorëheqjën e Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit dhe shkuarja në zgjedhje të parakoheshme, shkruan Ballkani.info.

Më i zëshmi është Jakup Krasniqi, por edhe Limaj i ka mbështetur fjalët e Krasniqit në një intervistë të para do ditësh.

“Ne i ndajmë shqetësimet e përbashkëta në të gjitha analizat me z. Krasniqin aty ku është vendi. Absolutisht të gjitha. Edhe opinionet dhe sugjerimet për të ardhmen i kemi të njëjta për faktin se për këto fenomene jemi të shqetësuar dhe kemi qëndrim ndryshe nga të tjerët. Nuk bëjmë kalkulime të ngushta partiake. Krasniqi nga profili i tij jep parashikime, mendime të pakufizuara. Natyrisht që jemi në përputhje të plotë me vizionin, qëndrimin dhe angazhimin e përbashkët”, ishte shprehur Limaj.

Këtë përgjigje Limaj e kishte dhënë pasi që u pyet nëse ndan mendimin e njëjtë me Jakup Krasniqin – i cili është kryetar i Këshillit Kombëtar të Nismës, dhe një ndër themeluesit e partisë – se kryeministri do të duhej të ofronte dorëheqjen. /Ballkani.info/