Nisma akuzon Vetëvendosjen se po kërcënon vëzhguesit në Qendrën e Numërimit

Nisma Socialdemokrate përmes një komunikate për media ka akuzuar anëtarët e VV-së në KQZ, Nazlie Bala dhe Adnan Rrustemi se po ndërhyjnë në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve duke i kërcënuar vëzhguesit.

Sipas kësaj partie anëtarët e Vetëvendosjes në KQZ kanë ndërhyrë duke kapur fletëvotimet.

“Në bazë të raporteve ditore të vëzhgueseve tanë në QNR, përfaqësuesit e LVV-së në KQZ, përkatësisht znj. Nazlie Balaj dhe z. Adnan Rrustemi vazhdimisht kanë ndërhyrë në tavolinat ku po bëhet rinumërimi i votave, duke kërcënuar dhe shantazhuar stafin dhe vëzhguesit e angazhuar në QNR. Të apostrofuarve më lartë nuk ju mjafton presioni mbi punëtorët e QNR-së dhe vëzhguesit e partive tjera, ata ndërhyjnë edhe fizikisht në fletëvotime”, thuhet në komunikatën e Nismës Socialdemokrate.

Nisma i ka bërë thirrje kryetares së KQZ-së, Valdete Daka që të ndalojë ndërhyrjen e Balajt dhe Rrustemit në procesin e rinumërimit të votave.

“I bëjmë thirrje kryetares së KQZ-së, që të ndalojë urgjentisht ndërhyrjen e këtyre anëtarëve të KQZ-së në procesin e rinumërimit të votave. Duke ditur përgjegjësitë e qarta ligjore të anëtarëve të KQZ-së që janë të parapara me ligj, ndërhyrja e çdo anëtari të KQZ-së në tavolinat e rinumërimit është presion, është intimidim, duke shfrytëzuar pozitën e tyre për të ndikuar ndaj punëtorëve të administratës, që janë përgjegjës për rinumërimin e votave, po ashtu është qëllim për të penguar vëzhguesit e partive politike për të kryer detyrën e tyre të paraparë me ligj”, thuhet në reagim.

loading…