Nisin testimet për COVID-19 në Klinika Private, ky është çmimi

Bordi për Licencim të Institucioneve Private Shëndetësore ka shqyrtuar 34 aplikacione (nga mbi 100 sa kanë aplikuar) të institucioneve private shëndetësore, të cilat kanë bërë kërkesa për lejimin e shërbimit të testimeve për SARS-Cov-2.

Por, vetëm 29 prej këtyre institucioneve sipas MSH-së i kanë plotësuar kriteret për kryerjen e testimeve për SARS Cov-2. Prej 29 ISHP të licencuara, 27 do të kryejnë testime serologjike, ndërsa 2 të tjera do të kryejnë testime molekulare (RT-PCR).

Kështu qytetarët nga sot do të mund ta kryejnë testin për COVID-19 edhë në Klinika Private, por Autoriteti i Konkurrencës ende s’ka caktuar se cili do të jetë çmimi për kryerjen e një testi.

Indeksonline ka kontaktuar disa nga insticione shëndetësore private në qytete të ndryshme të vendit, të cilat kanë marrë Leje nga MSH për kryerjen e testeve SARS-Cov-2, për të parë se si do të shkojë procedura, derisa përgjigja ishte e ndryshme.

Laboratori Olive Medical në Prishtinë, ka thënë se kanë nisur qysh sot testimet për COVID-19, derisa mund të bëhet edhe pa termin, e që rezultati del brenda pak orësh. Të njëjtit kanë thënë se çmimi për një test është 20 euro.

Derosa, Laboratori Avicena po ashtu në kryeqytet, ende s’ka nisur kryerjen e testeve COVID-19. Po ashtu as nuk kanë dhënë një shifër për çmim, duke thënë se ende s’është caktuar.

Ndërsa, në Ferizaj MSH leje për testin e koronavirusit i ka dhënë Laboratorit Mjekësor Aura. Edhe nga kjo klinikë thanë se kërkesat janë të mëdha nga qytetarët për të parë nëse janë infektuar me virus, por që tek në javën e ardhshme do të nisin punën, po ashtu nuk kanë ndonjë çmim.

Ndryshe, nga dy institucionet shëndetësore private të fundit, Laboratori Mjekësor, Fati Im ka nisur qysh sot të kryej teste për COVID.

Nga kjo klinikë, treguan se kanë dy lloj analizash (testimesh). Sipas tyre njëra është për të parë nëse e ke kaluar virusin korona dhe nëse e ke e që kushton 35 euro, ndërsa për të verifikuar nëse je i prekur është 20 euro.

Ndryshe, Ministri i Shëndëtësisë, Armend Zemaj sot gjatë një takimi me kryetarin e AKK-së, Valon Prestreshi ka kërkuar nga ai që laboratorët e licencuar mos të bëjnë asnjë lloj marrëveshje të ndaluar për caktimin e çmimit në dëm të kosovarëve.

I pari i Shëndetësisë gjithashtu ka thënë se nga sot Inspektorati Shëndetësor do të kryejë inspektime në institucionet të cilave u është lejuar kryerja e testimeve, për të parë nga afër gatishmërinë e tyre për t’i kryer testimet dhe për t’i verifikuar të dhënat e prezantuara nga këto institucione me rastin e aplikimit dhe dhënies së Deklaratës nën betim për kushtet e plotësuara për kryerjen e testimeve sipas Udhëzimit Administrativ.