Nisin përplasjet PDK-AAK, akuza dhe kundër akuza pas ndarjes

Një ditë pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga pozita e kryeministrit, kanë filluar përplasjet publike mes partive të cilat ishin në koalicion qeverisës.

I pari që i nisi polemikat, ishte zëvendësministri i Ministrisë së Inovacionit, Bujar Cakolli, i cili njëherësh është edhe anëtar i kryesisë së PDK-së në Prishtinë.

Cakolli përmes një njoftimi në Facebook, kishte thënë se ‘duhet me qenë shumë idiot për me iu gëzu lajmit për shkuarjen e kryeministrit në Hagë’, por në anën tjetër ka akuzuar Haradinajn për harxhimin e rezervave shtetërore.

“Me fol drejt ka del shpirti, me i harxhu komplet rezervat shtetërore në korrik, e me lëshu qeverinë, nuk është tjetër veç ikje nga përgjegjësia politike”, ka shkruar Cakolli, përcjell Ballkani.info.

E kundër postimit të Cakollit ka reaguar asambleistja e AAK-së në Prishtinë, Fiknete Bejta.

“Cakolli paska folë për dorëheqjen e Kryeministrit Haradinaj. Ai e paska akuzuar kryeministrin për harxhimin e rezervës shtetërore. Cakolli mirë kishte me qenë me na tregu diçka për rrjedhat e inovacioneve tek sallonet e bukurisë”, ka shkruar Bejta.

Asambleistja nga radhët e AAK-së i referohet granteve të dhuruara nga Ministria e Inovacionit e cila ishte nën udhëheqjen e Besim Beqajt, ministri kjo e cila u raportua se kishte dhuruar grante financimi për një sallon të bukurisë, gjë që nuk kishte të bënte fare me inovacion.

Në fund të shkrimit, Bejta ka thënë se e mira e gjithë kësaj është që PDK-ja përfundimisht do të dalë nga loja, duke iu referuar kështu zgjedhjeve që pritet të ndodhin pas dorëheqjes së Haradinajt. /Ballkani.info

loading…