Nisin pakënaqësitë e serbëve të Kosovës me Vuçiqin, më 9 janar protestohet kundër “tradhtisë së presidentit serb”

Serbët e Kosovës duket se në vitin 2023 do të nisin reflektimin ndaj shtypjes dhe përdorimit që po ua bën Vuçiq dhe njerëzit e tij.

Kështu që më 9 janar është paralajmëruar protestë në veri të Mitrovicës kundër presidentit serb me thirrjet kundër Vuçiqit dhe “tradhtisë së tij ndaj serbëve në veri”.

Njoftimin për protestë e ka bërë Nebojsha Joviq, zyrtar i të ashtuquajturës Lëvizja për Mbrojtjen e Kosovës.

Joviq tha se protesta e serbëve do të fillojë në ora 12:01 në mënyrë simbolike, për të ngritur zërin kundër “tradhtisë së lartë të Aleksandër Vuçiqit” dhe “torturës, mburrjes, pasurimit të pakontrolluar, kërcënimeve dhe shantazheve” të Listës Serbe, dhe “tradhtisë më mizore” që nga java e kaluar dhe “lejimin e bazës së Policisë së Kosovës në veri”.

“Qytetarët e Mitrovicës serbe do të dalin për të dërguar publikisht një mesazh se Aleksandar Vuçiq, me një politikë të tillë destruktive proshqiptare dhe proserbe në Kosovë, si dhe Lista Serbe, e cila ishte partnere afatgjate e Thaçit dhe Haradinajt nuk mund të përfaqësojnë më serbët që jetojnë në Kosovë”, tha Joviq.

Ai shtoi se Lista Serbe dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq “verifikuan rrethimin” e Mitrovicës dhe “pushtimin” e Veriut”.

“Serbët nga Kosova do të kërkojnë nga Serbia që të caktojë një “negociator shtetëror – përfaqësues” i cili para së gjithash do të respektojë interesat si të Serbisë ashtu edhe të serbëve në Kosovë”, ka thënë ai, përcjellë portali KosSev.

“Ata nuk janë askund në rrugë. Pyesim veten se ku janë. Ndoshta shumica, ndoshta pothuajse të gjithë, sipas banesave që marrin në “Beogradin mbi ujë”. Ky është tani statusi i tyre në mesin e tradhtarëve, nëse nuk ke banesë në ‘Beogradin mbi ujë’ apo në Vraçar, nuk je serb mjaft i mirë dhe i denjë për ta”, tha Joviq. /Ballkani.info/