Nisin hetimet ndaj Kompanisë “B.S.B. Aviation” në Prizren

Ditë më parë një kompani gjermane u shfaq në qytetin e Prizrenit, e cila kërkonte 2 mijë punëtorë për punë në Gjermani. Pas publikimit të fotografive në media në të cilat shihej një numër marramendës i qytetarëve që ishin të interesuar për aplikim punësimi në Gjermani, u vu në pikëpyetje veprimtaria e saj.

Ishte kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, cili tha se kompania po hetohej nga organet e drejtësisë, mirëpo, nuk u tha diçka më shumë se a kanë filluar hetimet.

Prokuroria në Prizren, i ka konfirmuar lajmi.net, për fillimin e hetimeve.

“Duke u bazuar në kërkesën dhe në pyetjet tuaja, lidhur me kompaninë B.S.B. “Aviation “, e cila ka ardhur në Kosovë dhe u jep qytetarëve mundësi për punësim në kompaninë O.B.M “Aviation” në Gjermani, Prokuroria Themelore në Prizren, ju bënë me dije se është duke ndërmarrë veprime ligjore për të siguruar provat dhe informacionet e nevojshme, nëse është kryer apo po kryhet ndonjë vepër penale e cila ndiqet sipas detyrës zyrtare”, thuhet në përgjigjen e prokurorisë së Prizrenit.

Ballkani.info gjithashtu ka raportuar rreth rastit të Kompanisë punësuese dhe për dyshimet e ngritura rreth saj, gjithashtu ka provuar të kontaktojë me pronarin e kësaj kompanie, Bujar Gashi, por ka qenë i pamundur kontakti me të.

Rasti i kësaj shkoi deri në Parlamentin e Kosovës ku deputeti Milaim Zeka akuzoi edhe Vetëvendosjen se gjindet mbrapa kësaj kompanie. /Ballkani.info/