Gjatë këtyre ditëve, ka nisur tërheqja e pacientëve me COVID-19 nga Qendra e Mjekësisë Sportive.
Agreta Geci, doktoreshë në Qendrën e Mjekësisë Sportive, ka treguar që kanë pasë probleme edhe me sistemin e oksigjenit.
“Qendra e Mjekësisë Sportive është një hapësirë e adaptume për mjekim intensiv, kështu ka funksionuar që disa muaj. Tash me rënien e numrit të pacientëve në përgjithësi, ne kemi tentuar t’i koncentrojmë të gjithë pacientët që janë në gjendje të rëndë në një vend”.
“Kjo do të thotë që deri tash kemi qenë të shpërndarë në tri njësi intensive: Mjekësia Sportive, Klinika Infektive dhe Mjekimi Intensiv Qendror që është shndërruar në Mjekim Intensiv Covid”.
“Arsyeja pse nuk kemi arritur të bëjmë koncentrim të këtyre pacientëve në një hapësirë, kanë qenë problemet që i kemi pasë me sistemin qendror të oksigjenit. Tash është duke u punuar dhe javën tjetër do të rregullohet problemi me sistemin e oksigjenit”.
Geci në Edicionin Special në Klan Kosova ka thënë që Mjekësinë Sportive ka pasë një numër të vogël të pacientëve.
“Prej Mjekësisë Sportive, në ditët e fundit ka qenë një numër i vogël i pacientëve (dikun 4-5) dhe sot janë duke u bartë këta pacientë në Mjekimin Intensiv Qendror”.
“Është vetëm një pacient që ka mbetur në Mjekësinë Sportive. Urojmë që këta numra të mos rriten pasi arsyeja pse po largohen është që të përfundohen punimet që kanë mbetur në gjysmë dhe që të përgatitemi për valën e dytë që do të mund të vijë gjatë shtatorit ose tetorit”.







