Pas përfundimit të takimeve dypalëshe në mes të deleguarit të posaçëm për dialog, Miroslav Lajçak, fillimisht më kryenegociatorin e palës serbe, Petar Petkoviq, e më pastaj me zëvendëskryeministrin e parë të Kosovës, Besnik Bislimi në Bruksel, ka nisur takimi trepalësh Bislimi – Lajçak – Petkoviq.

Në krye të agjendës së diskutimeve do të jetë zbatimi urgjent i Marrëveshjes për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve.

Marrëveshja u arrit vitin e kaluar, por nuk u zbatua.

Për zbatimin e saj, javën e kaluar në Bruksel u thirrën edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Bisedimet në Bruksel përfunduan pa ndonjë rezultat konkretë, meqë Kurti refuzoi takimin me Vuçiqin pa plotësimin e tri kushteve të parashtruara paraprakisht Shefit të Diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, në një takim bilateral.

Formalizimi i Marrëveshjes Bazë, tërheqja e letrës zyrtare të ish-kryeministres së Serbisë dorëzuar Bashkimit Evropian dhe dorëzimi i Milan Radojiçiq dhe grupit të tij paramilitar terrorist tek autoritetet kosovare, ishin së fundmi tri kushtet e paraqitura nga ana e Kurtit, për angazhimin e mëtejmë të Kosovës në procesin e normalizimit të raporteve me Serbinë.